Kronologji, si ka ecur Maqedonia që nga pavarësia deri më sot

Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) ndodhi si rezultat i një sërë trazirash dhe përplasjesh politike gjatë fillimit të viteve të nëntëdhjeta. Pas periudhës së krizave politike në vitet e tetëdhjeta, RSFJ u shpërbë, ndërsa çështjet e pazgjidhura shkaktuan konflikte ndëretnike. Ngjarjet ushtarake ndodhën fillimisht në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, dhe më vonë kishin ndikim edhe në vende të tjera.

Pas fitores së aleatëve në Luftën e Dytë Botërore, Jugosllavia u formua si një federatë e gjashtë republikave: Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Përveç republikave, u formuan dy krahinat autonome të Vojvodinës dhe Kosovës, nga të cilat Kosova tani është shtet.

Pavarësia e Republikës së Maqedonisë

Pas shpërbërjes së ish-RSFJ-së, erdhi deri te formimi i shteteve të pavarura, përfshirë Republikën e Maqedonisë. Republika e Maqedonisë sot shënon 26-vjetorin e pavarësisë pas referendumit të suksesshëm të mbajtur më 8 shtator të vitit 1991, në të cilin qytetarët e këtij vendi votuan për një shtet të pavarur dhe sovran.

Mbi 95 për qind e qytetarëve që morën pjesë në referendum iu përgjigjën pozitivisht pyetjes: “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtën për të hyrë në unione të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”. Paraprakisht, më 25 janar të vitit 1991, u miratua Deklarata e Pavarësisë nga parlamenti i parë shumëpartiak i Maqedonisë. Një hap i rëndësishëm për shtetin ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor të vitit 1991.

Pas miratimit të Deklaratës për sovranitet të shtetit, Kiro Gligorov u zgjodh kryetari i parë i Republikës së pavarur dhe sovrane të Maqedonisë nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 27 janar 1991.

Pas shpalljes së pavarësisë, shtetësinë e Maqedonisë midis të parëve e njohën Turqia dhe Bullgaria, si dhe Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnja dhe Hercegovina dhe pastaj edhe vendet e tjera.

Shteti fitoi edhe pavarësinë monetare me futjen e denarit më 26 prill të vitit 1992, dhe më pas formoi edhe armatën e vet, e cila feston përvjetorin e saj më 18 gusht.

Subjektiviteti juridik ndërkombëtar i shtetit u konfirmua definitivisht më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtari i 181-të i plotë i OKB-së.

Për shkak të kundërshtimit dhe presionit të Greqisë, i cili nuk e pranon emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në OKB-së ndodhi nën referimin e përkohshëm: Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.

E përcaktuar në mënyrë strategjike për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s, Republika e Maqedonisë themeloi institucionet dhe organizatat e saj për të punuar në drejtim të perspektivave euroatlantike.

Për shkak të karakterit multietnik dhe multikonfesional, marrëdhëniet ndëretnike në këtë vend kanë qenë subjekt i vëzhgimeve të ndryshme. Multietniciteti, si karakteristika kryesore e shtetit, ishte një sfidë e madhe për elitat politike, por edhe për shoqërinë në tërësi, në aspektin e sigurimit të barazisë dhe të drejtave të bashkësive etnike.

Konflikti i armatosur në Republikën e Maqedonisë në vitin 2001

Në fillim të vitit 2001 në Maqedoni shpërtheu konflikt i armatosur mes forcave të armatosura dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), e cila kërkonte avancimin e të drejtave të shqiptarëve në vend. Konflikti përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në gusht të po të njëjtit vit, e cila parashihte avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera etnike në Maqedoni (turqit, boshnjakët, serbët, vllehët dhe romët).

Po atë vit, me Marrëveshjen e Ohrit, e cila u nënshkrua nga aktorët kryesorë politikë në vend dhe me ndërmjetësimin dhe garantimin e bashkësisë ndërkombëtare, e përfaqësuar nga BE-ja dhe SHBA-të, erdhi deri te ndryshimi i Kushtetutës.

Maqedonia fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE

Katër vite pas konfliktit, në vitin 2005, Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe në vitin 2008 edhe rekomandim nga Komisioni Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, i cili u përsërit edhe këtë vit. Greqia, duke ndjekur shembullin me NATO-n, bllokoi eurointegrimin e Maqedonisë, duke e kushtëzuar me zgjidhjen paraprake të çështjes së emrit.

Rëndësia e Samitit të NATO-s në Bukuresht

Përveç anëtarësimit në BE, anëtarësimi në NATO është gjithashtu qëllim strategjik i Republikës së Maqedonisë. Parlamenti më 23 dhjetor të vitit 1993 solli një vendim për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Një nga ngjarjet më të rëndësishme drejt anëtarësimit në këtë organizatë është Samiti i NATO-s në Bukuresht.

Më 3 prill të vitit 2008, në Samitin e NATO-s në Bukuresht, Rumani, Greqia bllokoi ftesën për Republikën e Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Me gjithë përpjekjet e forta të disa vendeve kryesore për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë, kryesisht të Shteteve të Bashkuara, Greqia nuk i dha pëlqimin ftesës për Republikën e Maqedonisë, duke e argumentuar këtë me marrëdhëniet e këqija fqinjësore për shkak të çështjes së pazgjidhur të emrit të Maqedonisë.

Që nga pavarësia e deri më sot, Maqedonia ka kaluar nëpër disa kriza politike, në mesin e tyre, më e madhja dhe më e rëndësishmja nga pavarësia konsiderohet kriza politike që u thellua në vitin 2015, e cila nga krizë politike, u shndërrua në krizë institucionale dhe më pas edhe në krizë të sigurisë.

Kriza politike në fjalë u thellua edhe pas negociatave të liderëve të dy partive më të mëdha politike, kryetarit të VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit të atëhershëm Nikolla Gruevski dhe liderit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, kryeministrit aktual. Ajo filloi me publikimin e disa audiomaterialeve kompromentuese, të ashtuquajturat “bomba”, të cilat te qytetarët shkaktuan zemërim, ndërsa u organizuan protesta në kryeqytetin e vendit, Shkup dhe në të gjithë Maqedoninë. Jashtë ndërtesës së qeverisë në Shkup, qytetarët ngritën tenda dhe kërkuan dorëheqjen nga qeveria e udhëhequr nga Nikolla Gruevski.

Kjo çoi në negociata midis palëve me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe në arritjen e Marrëveshjes së Përzhinës, e cila parashihte tejkalimin e krizës politike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që u realizuan më 11 dhjetor të vitit të kaluar, të cilat ishin zgjedhjet e nënta parlamentare që nga pavarësia e shtetit dhe zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare.

Pas zgjedhjeve parlamentare, në prill u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit në rrethana të tensionuara, ku një grup i demonstruesve që protestonin kundër zgjedhjes së Talat Xhaferi si kryetar i parlamentit hyri në ndërtesën e kuvendit dhe shkaktuan incidente, me çka u lënduan deputetë dhe gazetarë.

Më 1 qershor 2017, qeveria e re e Republikës së Maqedonisë filloi punën, e udhëhequr nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, e cila është zotuar për të përmbushur reforma urgjente për përshpejtimin e pranimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Zgjedhjet dhe referendumet e deritanishme

Gjithashtu, që nga pavarësia e Maqedonisë janë mbajtur pesë zgjedhje presidenciale dhe pesë lokale, ndërsa zgjedhjet e gjashta lokale janë caktuar të mbahen më 15 tetor të këtij viti.

Ndër të tjera, që nga pavarësia, në Maqedoni janë mbajtur dy referendume në nivel shtetëror dhe pesë në nivel lokal. Referendumi i parë në vitin 1991 ishte me kërkesë të Parlamentit, kurse ai i vitit 2004 me kërkesë të të paktën 100.000 votuesve.

Referendumi i parë i vitit 1991 u mbajt për pavarësinë e vendit, ndërsa i dyti, i cili u mbajt më 7 nëntor të vitit 2004, shprehjen e qytetarëve për ligjin e sapomiratuar atëherë për ndarjen territoriale të Maqedonisë.

Pas 26 viteve të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në BE dhe NATO, ndërtimi i institucioneve në shërbim të qytetarëve dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe kualitetit të jetës mbeten qëllime të vendit, ndërkohë që edhe shpërngulja e të rinjve është një nga sfidat më të rëndësishme të shoqërisë në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button