“Maqedonia e lirë, lirshëm jeton” moto e Ditës së Pavarësisë, 8 Shtatori

Shënimi i Ditës së Pavarësisë 8 Shtatori sivjet do të zhvillohet nën moton “Maqedonia e lirë, lirshëm jeton”. Shënimi qendror do të mbahet para dhe brenda Qeverisë së Republikës së Maqedonisë më 7 shtator në orët e pasdite dhe të mbrëmjes.

“Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Republikës së Maqedonisë të jenë mysafirë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Qeveria do të jetë e hapur për të gjithë”, deklaroi sot në konferencën për shtyp zëdhënësi Mile Boshnjakovski. Në kuadër të shënimit qendror i cili përfshin më shumë ngjarje, fjalim do të ketë kryeministri, Zoran Zaev.

Aktivitetet me rastin e Ditës së pavarësisë do të zhvillohen tre ditë edhe atë më 6, 7 dhe 8 shtator.

Më 6 shtator do të mbahet ngjarje sportive në Skelën e lumit Vardar në organizim të Agjencisë për të rinj dhe sport “Vrapo, luaj, aktivizohu” që përfshin garë atletike rekreative, aksion ekologjik për pastrimin e Kejit, volejboll në rërë, kaike, kros fit, ngjitje në shkëmb dhe aktivitete skejt.

Më 7 shtator një delegacion i përbërë prej ministrave Goran Sugareski, Robert Allagjovski dhe zëvendësministri Dejan Pavleski do ta vizitojë restaurimin e shtëpisë përkujtimore Bllazhe Koneski në fshatin Nebregovë.

Pasdite në orën 17:30 fillon shënimi qendror i Ditës së Pavarësisë. Para dhe Brenda Qeverisë do të vendosen instalime interaktive artistike.

Më 8 Shtator në Ditën e Pavarësisë një delegacion i kryesuar nga Qeveria e Zoran Zaevit në varrezat Butel do të vendosin lule në varrin e ish presidentëve Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski. Një delegacion i kryesuar nga ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska do të vendos lule para përmendores “Çlirimtarët e Shkupit”, ndërsa në organizim të Ministrisë së Mbrojtjes do të organizohet ngjitje në Malin Busheva “Së bashku drejt majës”.

Dita e Pavarësisë 8 shtatori përkon me 100 ditëshin e zgjedhjes së Qeverisë së re. Zëdhënësi Boshnjakovski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për njëqind ditët e Qeverisë tha se në periudhën e radhës Qeveria do t’i drejtohet opinionit që t’i dëgjojë rezultatet e punës së deritanishme.

I pyetur se kur do të vijë në Shkup ndërmjetësi për bisedimet për emrin, Methju Nimic, pas paralajmërimit të djeshëm të kryeministrit Zaev, Boshnjakovski tha se zyrtarisht akoma nuk ka termin të saktë dhe preciz. “Por, si gjithmonë deri më tani në momentin që do t’i dimë informacionet i gjithë opinioni i Maqedonisë do të njoftohet”, tha zëdhënësi i Qeverisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button