Thaçi apelon për formim urgjent të Kuvendit dhe Qeverisë

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Federika Mogerini nesër në mëngjes do t’i takojë në Bruksel presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Kosovës, Thaçi për herë të parë publikisht u bëri thirrje përfaqësuesve që sa më shpejtë të formojnë institucione me qëllim që të konfirmohet platforma për dialogun me Serbinë.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë, Mogerini, ka deklaruar se takimet në Bruksel do të zhvillohen në kontekstin e diskutimit për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës,

“Diskutimet do të ndodhin pas takimit të disa javëve më parë, ku janë marrë vesh se do të nisin të punojnë për fillimin e fazës së re të dialogut, në këtë kuptim, puna tashmë është në zhvillim e sipër dhe ata nesër do t’i vazhdojnë bisedimet”, ka theksuar ajo.

Takimi i radhës në Bruksel, sipas Kocijançiqit do të jetë joformal.

Thaçi dhe Vuçiq, patën theksuar pas takimit të 3 korrikut të zhvilluar po në Bruksel, se nevojitet një fazë e re e procesit të bisedimeve, që sipas lehtësuesit të këtij procesi, Bashkimit Evropian, ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Thaçi thekson se pret partitë politike të veprojnë dhe pa shtyrje të bëjnë që Kuvendi dhe Qeveria e re të funksionojnë.

“Menjëherë pas kësaj, do të punojë në formimin e një ekipi të posaçëm të përfaqësuesit e partive politike, shoqërinë civile dhe të tjerë. Duhet mirë të përgatitemi dhe të jemi të bashkuar sepse Kosova nuk ka kohë për të humbur”, theksoi Thaçi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në mars të vitit 2011, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Ndër marrëveshjet e para ka qenë ajo për Menaxhimin e integruar të kufirit apo për lëvizjen e lirë.

Kosova dhe Serbia, ndërkaq kishin arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button