Bashkëpunim më i madh i Maqedonisë dhe Shqipërisë për më shumë investime të huaja

Modeli i ri për tërheqje të investimeve të huaja dhe rrethanave lehtësuese për bërje të biznesit, do t’i prezantojë ministri i Investimeve të Huaja Ramiz Merko gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri.

Nga sot deri më 4 gusht Merko në Tiranë do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë si dhe me disa nga sipërmarrësit më të suksesshëm Shqiptarë.

Në delegacionin që e kryeson Merko janë zëvendësdrejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industrale Asip Useini, dhe nga drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare “FM Consulting” Fatos Mustafa.

Siç kumtoi Mustafa  një nga mesazhet në takime do të jetë që të shfrytëzohet mundësitë për promovim dhe tërheqje të investimeve të huaja të drejtpërdrejta, si dhe të krijohet klimë më e mirë biznesi në kuadër të krijimit të zonës rajonale ekonomike.

“Kjo vizitë e rëndësishme që zhvillohet në kuadër të krijimit të një zone të përbashkët ekonomike rajonale, të mbështetur nga Samiti i Triestes që u mbajt në korrik të këtij viti do të shërbejë si një mundësi për qeverinë dhe biznesin shqiptar për t’u njohur me modelin e ri të Maqedonisë të të bërit biznes, si dhe me politikat lehtësuese që zbaton qeveria në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit”, informoi Mustafa.

Janë parashikuar të zhvillohen takime me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka, me kryetarin e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj, me kryetarin e Agna Group Vasil Naçi, me kryetarin e Mare Adriatik Mark Babani, me Maksim Caslli, Drejtues i Deloitte Albania & Kosovo, me kryetarin e Aiba Kompani . Agron Duka, me kryetarin e Green Farm, Ferdinant Bani, dhe të tjerë.

Do të prezantohen modeli i ri të tërheqjes së investimeve të qeverisë ku ai bën pjesë, pjesë e së cilave janë edhe subvencionet që ofrohen për biznesin që investojnë në Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale, por edhe jashtë tyre.

“Qeveria Maqedonisë, në këto zona ofron një sërë lehtësish që përfshijnë edhe çlirime nga barra fiskale për një periudhë prej rreth 10 vitesh. Për Shqipërinë, këto zona mund të shihen si modele suksesi që mund të zbatohen dhe të krijojnë kushte për rritjen e konkurrencës së biznesit. “Jemi dy vende që duhet të shohim mundësitë për të bashkëpunuar, për të qenë sa më plotësues të njëri – tjetrit pasi vetëm kështu mund të integrohemi në tregje më të mëdha”, tha Mustafa.

Për Zyrën Ndërkombëtare “FM Consulting” këto takime mes përfaqësuesve të dy qeverive, por edhe të biznesit janë shembulli më i mirë sesi Maqedonia dhe Shqipëria duhet të rrisin më tej bashkëpunimin për të forcuar pozitat e tyre, si dhe për të garantuar më shumë konkurrueshmëri dhe një klimë sa më të favorshme për sipërmarrjen në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si industria, turizmi etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button