Kryemadhi në krye të LSI: Na falni për bashkëqeverisjen me PS

Monika Kryemadhi është zyrtarizuar si kryetarja e re e Lëvizjes Socialiste për Integrimi, vetëm dy muaj pasi Petrit Vasili zëvendësoi Ilir Metën, shkruan Top Channel.

Vetë presidenti i zgjedhur e ka ndjekur konventën e mbajtur nga televizori. Kjo kur një ditë më parë kryeministri Rama i kërkoi në distancë të ridimensiononte rolin e kreut të shtetit, që ai e cënoi në fushatë.

Ajo që ka rënë në sy në fjalimin e Kryemadhit në konventë ka qenë falja që ajo kërkoi për bashkëqeverisjen me Partinë Socialiste në këto 4 vjet.

“Kërkoj falje për pjesën tonë të bashkëqeverisjes me Edi Ramën. Nuk reaguam fort kur konstatuam se Shqipëria po kthehej në një plantacion droge”, ka thënë Kryemadhi.

Ajo ka paralajmëruar se LSI do të ketë përpara një rrugë të gjatë dhe të vështirë, por që nuk do të ketë kthim mbrapa.

“Besoj se është e qartë se ne jemi forca kryesore opozitare në Shqipëri. Ne do të jemi një forcë udhëheqëse opozitare, ata që do ta çojnë për skrap qeverinë e krimit të organizuar dhe blerjes së votave”, ka thënë Kryemadhi.

Ajo ka theksuar se beteja e LSI në Parlament do të jetë kundër asaj që e ka quajtur “kasta që ka marrë timonin e krimit”.

“Përballë nesh është një kundërshtar i armatosur me krimin. Ne do të bëjmë një opozitë të fortë deri në pikën e fundit, pa bërë kompromis me pushtetin”, ka shtuar Kryemadhi.

Vasili: Ne do të jemi opozita e vërtetë

Në fjalën e tij në këtë event, kryetari i deritanishëm Petrit Vasili ka falenderuar ata qytetarë shqiptarë që votuan LSI-në dhe i thanë jo asaj që e ka quajtur “Shqipëria e drogës”.

“25 mijë shqiptarë votuan për Shqipërinë demokratike, jo Shqipërinë e drogës, jo për oligarkët, jo për një opozitë që flirton me pushtetin prapa perdes”, ka thënë Vasili.

Sipas tij, “vendin e ka pushtuar pseudodemokracia që çon në zero çdo shans për të ardhmen dhe që me paratë e krimit tenton të blejë lirinë”.

“Këto vota janë themeli i një betoni të një opozite të vërtetë. LSI do të jetë muri ku do të thyejë kokën pushteti i krimit”, ka thënë Vasili, i cili ka kritikuar ashpër zgjedhjet e 25 qershorit.

“Ato ishin zgjedhjet më të shëmtuara që pluralizmi ka provuar, ishin një ripërsëritje e zgjedhjeve të vitit ‘96, ishin një krim elektoral i strukturuar”, ka vijuar Vasili.

Në këto kushte, ai ka paralajmëruar se LSI ndodhet përballë një misioni historik, ai i bërjes së opozitës së vërtetë.

Në të njëjtat linja, nënkryetari Luan Rama ka nënvizuar se “Shqipëria ka nevojë për opozitë dhe për alternativë të re, ndryshe nga ajo e arrogancës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button