Xhaferi realizoi takim me kryetaren e Kuvendit të Letonisë Inara Murniece

Sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë,  Talat Xhaferi realizoi takim zyrtar me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Letonisë, Inara Murniece, njofton Portalb.mk.

“Gjatë takimit u shpreh mirënjohje për përkrahjen e fuqishme dhe konkrete që Republika e Letonisë ia jep Republikës së Maqedonisë në planin e integrimit evropian dhe euroatlantik. Si impuls tejet pozitiv në këtë kontekst u përmend Deklarata e përbashkët për hapjen e negociatave paraaderuese të Bashkimit Evropian me Republikën e Maqedonisë, e miratuar nga ana e përfaqësuesve të komisioneve për çështje evropiane të parlamenteve të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë në vitin 2012. Me këtë deklaratë u promovua koncepti i zgjidhjes paralele të kontestit rreth çështjes së emrit dhe fillimit të negociatave aderuese, koncept i cili më tutje ishte përkrahur nga shumë vende-anëtare të Bashkimit Evropian”, thuhet në Kumtesë..

Murniece i drejtoi urime të përzemërta për zgjedhjen në funksionin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Njëkohësisht, uroi për zgjedhjen e Qeverisë së re, si hap i parë kah stabilizimi i gjendjes politike në shtet pas ngjarjeve të pakëndshme të 27 prillit, të cilat i dënoi si atak mbi demokracinë. Ajo theksoi se Republika e Letonisë edhe më tutje do të mbesë përkrahëse e fuqishme e integrimit evropian dhe euroatlantik të Republikës së Maqedonisë, për arsye se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor varet prej integrimit të saj të tërësishëm evropian. Me këtë do të krijohen themele të forta për eliminimin e të gjitha ndikimeve ndërkombëtare negative në aspektin rajonal të sigurisë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button