UNDP: Gratë mungojnë në tregun e punës në Maqedoni

Në kuadër të programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), organi i saj për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave (UN Women) dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) sot në Shkup mbajtën një konferencë mbi “punën e papaguar, pabarazinë gjinore dhe premtimin e ekonomisë për përkujdesje”, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas organizatorëve, qëllimi i kësaj konference është që përmes ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendor të bëhet shkëmbimi i përvojave dhe praktikave si dhe të inkurajohet një debat në Ballkanin Perëndimor mbi sfidat ekzistuese të zhvillimit.

Në konferencë, fjalim mbajti edhe kryeministri Zoran Zaev i cili theksoi se Maqedonia është shtet social në të cilin burrat dhe gratë duhet të paguhen në mënyrë të barabartë dhe mundi të vlerësohet në mënyrë të duhur.

“Dua të bëj të ditur se qeveria e re ka filluar të ndryshojë këtë realitet. Nuk do të jetë shpejtë dhe lehtë, mirëpo nëse punojmë bashkë dhe të përkushtuar drejt këtij problemi do të marrim rezultatet e mira. Kjo do të thotë përfshirje më të madhe të grave në tregun e punës. Detyra të ndara mes burrit dhe gruas dhe fëmijë të përkujdesur, si dhe anëtarë të tjerë të përkujdesur të familjes”, tha Zaev.

Sipas tij, shteti do të jetë një partner social i familjeve të cilat kanë nevojë, ndërsa zgjidhja e të ashtuquajturës punë të papaguar, paraqet hapin e parë në këtë drejtim.

Konferencës dy ditore i’u drejtua edhe koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoni, Louise Vuitton, sipas të cilës analiza e ekonomistëve ka treguar se gratë mungojnë në tregun e punës sepse puna e papaguar në familje kryesisht shkon në barrë të grave, duke vënë në dukje se me punët shtëpiake, gratë punojnë papaguar tri herë më shumë në krahasim me meshkujt.

“Sfidat me të cilat përballet vendi janë norma të larta të papunësisë në të dy gjinitë, ekziston një dallim i madh prej 12 për qind në punë midis burrave dhe grave, ndërsa vetëm 43 për qind e grave janë aktive në tregun e punës”, tha Vuitton, sipas së cilës ka një dallim të madh në pagat mes burrave dhe grave, sepse gratë fitojnë 18-19 për qind më pak se meshkujt për të njëjtën punë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button