Çfarë ndodh pas votës së të enjtes në Britani?

Paradoksalisht, kryeministrja britanike Theresa May, pas rezultatit shokues të zgjedhjeve të së enjtes, do të ketë të njëjtin numër votash në një koalicion të ri me partinë demokratike të unionistëve, që janë mbështetësit e qëndrimit të Irlandës së Veriut nën kontrollin britanik.

Pas autogolit spektakolar, sërish duket se konservatorët do të kualifikohen me golavarazh. Kryeministrja britanike, pasi mori bekimin e Mbretëreshës, do të drejtojë Britaninë me një qeveri pakice, pasi asnjë nga partitë në Parlamentin e ri nuk ka shumicën.

Formatimi i qeverisë së re duket se bazohet në të njëjtat figura kryesore politike të qeverisë së kaluar. Ajo që do të ndryshojë janë marrëdhëniet e qeverisë së re me Parlamentin e ri të balancuar politik dhe negociatat e vështira me BE-në për “Brexit”, i cili pas tërmetit politik duket se do të jetë më i butë sesa një ditë më parë, pasi kështu duket se ka vendosur elektorati britanik.

E ndërkohë që laburistët e opozitës arritën një rezultat spektakolar, me një shtim të elektoratit, i paparë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, nacionalistët e Skocisë përgjysmuan numrin e deputetëve, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e një referendumi të dytë për shkëputjen e Skocisë nga Britania.

“Kush guxon, jo gjithmonë fiton” duket se është mesazhi i zgjedheve të parakohshme. Vërtet Britania ka nevojë për siguri në ditët e muajt në vazhdim, por qeveria që do e drejtojë do të kryesohet nga një kryeministre që rrethohet nga një pasiguri politike e paprecedentë./TCh/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button