I vetëm në protesta, DUA PUNË!

Ai është njëri nga shumë të rinj të papunë të Kosovës. Por, ka një veti më të theksuar se shokët dhe shoqet e tij. Dallohet me guximin që ka për të kërkuar atë që dëshiron, duke qenë i vetëdijshëm se për 1 Maj pothuajse në të gjithë botën protestohet duke kërkuar punë dhe të drejta për punëtorët.

Mejdi Ramadani mëngjesin e së enjtes nuk takoi ndonjë shok as shoqe në autobusin Gjilan-Prishtinë. Ai kishte vërtetuar që mesazhit të tij të një dite më herët, përmes të cilit ftonte shokët dhe shoqet për të protestuar para Qeverisë në kërkim të vendit të punës, nuk ju kishte përgjigjur ndonjëri.

“Arsyeja pse sot kam dal vetë dhe jo në shoqëri të dikujt, është se ndoshta s’kam kushedi se çfarë rrethi të gjerë…”.

Por, kjo nuk ia ka lëkundur bindjen studentit të ekonomisë, Mejdiut, për t’u sistemuar mëngjesin e 1 Majit para Qeverisë së Kosovës. Edhe pse shoqëria e neglizhoi ftesën e tij për kushedi se çfarë arsye, ai shprehet i bindur se me të është e gjithë Kosova, ani pse askush s’i është bashkëngjitur në protestim.

“Bëra një postim në facebook ku ftoja miqtë që të bashkëngjiten në protestë por, nuk pata përkrahje, megjithëse jam i bindur se gjithë Kosova është në anën time, dhe unë jam me ta, edhe pse nuk ka dalë askush..”.

“Sot, në ditën e punëtorit, e shoh më të arsyeshme protestën ngase papunësia është një ndër problemet më të mëdha të shtetit tonë. Shumicën e vendeve të botës sot protestojnë edhe pse kushtet ekonomike i kanë shumë më të mira se ne, me përqindje të të papunëve më të vogël se tek ne. Por, ne si popull pëlqejmë më shumë që mbas-darkën ta kalojmë duke bërë llaf për politikën dhe duke u ankuar pastaj që s’ka punë, kështu nuk është zgjidhja”.

Familja e Mejdiut përbëhet prej katër anëtarësh, babait të pensionuar për shkak të një aksidenti të më hershëm, nënës së papunë dhe motrës e cila është personi i vetëm që punon në këtë shtëpi, për t’i dhënë ndoshta epitetin e një “familje me gjendje mesatare ekonomike” kësaj familje.

“Këtë që po e bëj sot, e bëj për veten, familjen time, rrethin tim dhe popullin tonë”, ka thënë Mejdiu./ lajmi.net

Lajme të ngjashme

Back to top button