Kërkohen poste të shqiptarëve, në kontroll të Gruevskit

Bashkimi Demokratik për Integrim, si partia fituese në taborin shqiptar i nisi negociatat me VMRO-në gjithashtu si parti fituese në taborin maqedonas. Asnjëra palë nuk zbulon se për çfarë po negociohet për krijimin e Qeverisë së re e cila ka afat deri në qershor të fillojë me punë. 

Kërkesat e BDI-së
Nëse shkohet sipas asaj që e ka premtuar gjatë fushatës, Ali Ahmeti në tryezë të bisedimeve me Gruevskin do të vendos kërkesën që nga tre përfaqësuesit e institucioneve kryesore si presidenti, kryeministri apo kreu i parlamentit, të jetë shqiptar. Ai këtë e konfirmoi në një intervistë për A1Report. Gjithashtu do të kërkohet që njeri i BDI-së të vendoset në një nga resorët më të rëndësishme qeveritare se diplomaci, polici, mbrojtje dhe ministrinë e financave. Përveç kësaj BDI kërkon ndryshime në kushtetutë për përdorimin e gjuhës shqipe në nivel të gjithë shtetit. Grupi negociues udhëhiqet nga Abdylaqim Ademi si koordinator

VMRO mistike, Mijallkov në tryezë diskutimi
Gjithnjë, sipas fushatës së VMRO-së e kemi parë se për disa nga këto kërkesa, nëpër mitingjet e VMRO-DPMNE-së veç më janë përgjigjur negativisht duke i quajtur jo-principiele.  Grupi negociues i VMRO-së udhëhiqet  nga sekretari i partisë Emil Dimitriev, në të është Sasho Mijallkov dhe Gordana Jankullovska. 

A kanë nevojë shqiptarët për poste të mëdha me arritje të vogla?
Përderisa papunësia mbetet e lartë ndërsa euro-integrimet e bllokuara, kërkesat e partisë shqiptare duhet të përqendrohen në përmirësimin e kësaj gjendje. Nuk vlen asgjë një shqiptar i paaftë për të kryer punë në një post të lartë shtetëror i cili në praktikë si e si kontrollohet nga Gruevski, theksojnë analistët.

Ndërsa ideja e presidentit konsenzual, realisht përpos kënaqësisë ideologjike-kombëtare konkretisht nuk sjell asgjë për shqiptarët sepse presidenti, sipas ligjit, nuk ka ingerenca të mëdha në Maqedoni.

“Nëse e vështrojmë historikisht pozicionin e shqiptarëve në pushtet, do të shohim se neve nuk ka munguar përfaqësimi në eshalonet e larta shtetërore (edhe pse më të lartat nuk na i besojnë asnjëherë), por problem ka qenë dhe mbetet cilësia dhe vizioni me të cilin kanë hyrë ata në pushtet. Për fatin e keq të shqiptarëve, edhe kësaj here cilado parti shqiptare që do të hyjë në qeveri nuk besoj se do të bëjë transparente në marrëveshjen për bashkëqeverisje me VMRO-në dhe përsëri do të merren disa poste të parëndësishme ministrore, të cilat edhe pse do t’u jepen shqiptarëve, Gruevski do t’i mbajë nën kontroll.” thotë për Portalb, analisti Afrim Gashi.

“Aktualisht BDI bën luftë për pozicionim brenda ekzekutivit në katër vitet e ardhshme dhe kemi tentim të PDSH-së të amortizojë pozicionimin e BDI-së. Pra, pozicionim që nënkupton kontroll ndaj ministrive dhe institucioneve të fuqishme, ku ka qarkullim më të madh të financave. Merreni për shembull Ministrinë e Mbrojtjes: çka se u udhëhoq nga BDI? U mbajtën mend vetëm honorarët dhe tenderët që ua kishte dhënë bashkë-partiakëve. Kërkesat e partive shqiptare dihen dhe ato u propaganduan në fushatë. S’ka asnjë mister këtu. Gjuha, NATO, BE, buxheti. Ku janë kërkesat për përmirësimin e infrastrukturës rrugore? Jetësimi i zonës ekonomike në Tetove, hapja e vendeve të reja të punës, renovimi i shkollave, hapja e çerdheve, reformimi i USHT-së, perspektiva për të rinjtë që diplomojnë dhe ikin…Këto janë nevoja reale të elektoratit shqiptar.”thotë për Portalb, analisti Xhelal Neziri.

“Krerët e dy partive të cilat do të hynë në qeveri, do duhet të ulen dhe të gjejnë kompromis, sepse nëse nuk zhbllokohen euro-integrimet, BDI do të ketë probleme me elektoratin, ndërkaq nëse VMRO nuk realizon investimet që premtonte të cilat do të mundet të bëhen falë euro-integrimeve gjithashtu do te ketë probleme me elektoratin”, thotë për Portalb, analisti Albert Musliu.

Afrim Gashi shton se ai nuk sheh as një arsye të vetme se gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale e shqiptarëve do të ndryshojë. 

“Gjithashtu as gjendja statusore e shqiptarëve nuk besoj se do të ndryshojë, pra gjuha shqipe nuk do të zyrtarizohet, as ligji për UÇK-në nuk do të sillet dhe as nuk do të kemi ndarje proporcionale të buxhetit etj. Kështu, edhe për katër vitet e ardhme nuk do të kemi asgjë të kapshme dhe funksionale për shqiptarët që do të përmirësonte jetën e tyre. Do të vazhdojë varfërimi i shqiptarëve, do të vazhdojë migrimi i tyre drejt vendeve europiane, ndërsa shpresa se do të bëhet më mirë do të shuhet çdo ditë nga pak. Ndërsa lidhur me këtë, filozofi Muhiq thotë se shpresa nuk vdes e fundit, por e parafundit. I fundit vdes ai që shpreson” përfundon Gashi. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button