Zoran Zaev si kryeministër: Ja cilat janë prioritetet e Qeverisë së Maqedonisë (VIDEO)

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev pas marrjes së postit, ka shprehur edhe prioritetet e Qeverisë së Maqedonisë e të cilat kanë të bëjnë me shqyrtimin e buxhetit shtetëror dhe kontrollin e borxhit publik, shlyerja e testimit ekstern, reformat në gjyqësor, kthimi i transparencës institucionale dhe garantimi i sigurisë së shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

Siç shprehet Zaev që të gjitha këto prioritete kanë filluar të zbatohen që sot.

Shqyrtimi i buxhetit publik dhe raportimi për të që në ditët e para të qeverisë

“Isha i njohur me të gjitha detajet dhe për hapësirën e objektit të Qeverisë. U njoftova edhe për gjendjen e buxhetit  të shtetit, sigurisht ajo nuk është as e shkëlqyer, e as dramatike, së paku kështu mu bë e ditur nga ish kryeministri teknik Emil Dimitriev. Por ne sërish do të zhvillojmë kontroll ndaj buxhetit të shtetit dhe në ditët e para do të njoftojmë opinionin për gjendjen e tij. Që sot ministri i Financave ka filluar me punë që të shoh gjendjen e buxhetit, jo vetëm për të parë borxhin por edhe për të parë kapacitetin që na ofrohet për planifikim të aktiviteteve të Qeverisë së re”, tha Zaev.

Shlyerja e testimit esktern nëpërmjet ndryshimit të tre vendimeve ligjore

“Puna e parë e Kabinetit Qeveritar është puna Kuvendit i cili është mbi Qeverinë. E kjo është shlyerja e testimit ekstern nëpërmjet ndryshimeve të tre vendimeve ligjore edhe atë ndryshimin në sistemin arsimor fillor, ndryshim në sistemin arsimor të mesëm dhe ndryshim të mënyrës së vlerësimit të arsimtarëve. Ky testim esktern solli trauma për të gjithë përfshirë këtu edhe prindërit. Nuk do të largohemi nga ndryshimet dhe projektimet në sistemin arsimor, dhe se këto do të jenë çështjet e para që do të hapen në këtë sferë. Zhvillimi në arsim do ta bëjmë me shpërblime, e jo dënime”, tha Zaev.

Reformat në gjyqësor me ndërrim të Marko Zvërlevskit

Për sa i përket Marko Zvërlevskit, ai thotë se do të veprojnë në pajtueshmëri me rregullat ligjore, por sigurisht ndërrimi i tij duhet t’i paraprijë reformave të gjyqësorit dhe sundimit të së drejtës. Kjo do të hapte edhe rrugën për reformat në drejtësi të cilat janë prioritet i Qeverisë së re.

Kthimi i transparencës institucionale me hapjen e portave të Qeverisë

Prioritet i Qeverisë së Maqedonisë do të jetë edhe kthimi i transparencës institucionale për qytetarët dhe mediat, ngaqë siç shprehet Zaev, ai nuk ka çfarë të fsheh.

“Reformat e Qeverisë së re do të fokusohen në profesionalizimin, jondasisë politike dhe transparencës institucionale, duke filluar që sot me hapjen e portave të Qeverisë. Qeveria është e të gjithëve dhe ajo duhet të jetë e hapur si për mediat ashtu edhe për qytetarët. Kam për qëllim të jem transparent ngaqë nuk kam asgjë çfarë të fsheh”, tha Zaev.

Sigurimi i shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë me shkarkim të Mitko Çavkovit

I pyetur se si do të veprojë me drejtorin e Drejtorisë për Siguri Publike, Mitko Çavkov i cili njihet si drejtor i cili organizoi sulmin në Kuvend, Zaev u shpreh se do të veprojnë në bazë të ligjit dhe se qëllimi është që të marrin pushtetin për të garantuar siguri dhe ardhmëri për të gjithë qytetarët.

Ai gjithashtu dënoi edhe sulmin në Ministrinë e Shëndetësisë duke shprehur se Qeveria e re dhe strukturat e saja do të punojnë që maksimalisht t’i shmangin këto incidente jo vetëm pasi të veprohen, por edhe para se të ndodhin duke shprehur se nuk dëshiron që edhe më tej të ndodhin ngjarje të ngjashme.

Sërish Zaev ndjehet mirënjohës për mënyrën e mirë të dorëzim-pranimit të postit të kryeministrit ndërmjet tij dhe Emil Dimitrievit.

Dimitriev - Zaev
Dimitriev – Zaev

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button