Edi Rama ironizon Metën: Boll me qeverinë me dy timonë, duam shtet

Thellohen përplasjet mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, sa i takon ambicies për të qeverisur të vetëm. Tanimë është realitet se mes këtyre dy forcave politike ka rivalitet të fortë, por edhe replika të ashpra në distancë, fakt të cilin nuk ka mundur ta anashkalojë as vetë kryeministri Edi Rama.

Ditën e djeshme gjatë një takimi të organizuar me banorët në qytetin e Lezhës, shefi i qeverisë u kërkoi qytetarëve që të vendosin, duke i dhënë timonin Partisë Socialiste që të drejtojë e vetme pushtetin dhe jo me të tjerë në prehër, ndërsa theksoi se kjo votë është për të vazhduar më tej reformat e nisura nga qeveria e tij. Sipas Ramës, në zgjedhjet e 25 qershorit, socialistë e demokratë, që nuk kanë interesa pushteti, duhet të bëhen bashkë, transmeton Agjensia e Lajmeve Sot News.

“Ne na duhen 4 vjet që të kemi ne timonin, PS, se vazhdojmë ne timonin dhe të tjerë në prehër që të luajnë gjithë kohës, nuk vazhdohet. Nuk justifikohemi dot më që drejtorinë e Bujqësisë e ka një parti tjetër. Dhe ne tani na vjen keq që ne po bëjmë shtet dhe atë e ka partia tjetër. Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu”, deklaroi ai. Nga ana tjetër, kreu i ekzekutivit nënvizoi se vendi i ka provuar të gjitha partitë, teksa theksoi se të votosh për Partinë Demokratike është kthim në rrënim. Ndërsa reformën në drejtësi dhe votimin e vetingun, kreu i qeverisë i cilësoi suksese të mandatit të parë. “Qysh prej ditës së parë po të shihni çfarë thonë partitë, kanë bërë reformë jo, arna. Ne e thamë dhe thoshte Saliu, kaq ta bëni dhëmbin ju ne se votojmë, e patë si erdhën? 140 krerë të gjithë në vathë, kartoni jeshil lart kokën poshtë. Vetingun me Ramën jo. Kurrë, revolucion, veting u votua, Rama është këtu. Sepse ne e kemi nda mendjen, o do bëjmë shtet ose ikim. Kush do të kthehet mbrapa, të votojë PD”, tha ai. Por 44 muaj punë për Edi Ramën në krye të qeverisë kanë mjaftuar për të vendosur themelet e shtetit përmes reformave të dhimbshme, për të cilat nuk ngurroi të fajësoi ish-paraardhësin e tij Sali Berisha. “Ne kemi bërë goditjen më të rëndësishme në sistemin e vjetër duke goditur në themel pallatin e drejtësisë. Se unë se di këtu a ka njerëz me konflikte pronësie por nga 90 deri para dy vitesh statistika e konflikteve fizike të pronësisë me vrasje plagosje etj…..është 8 mijë. Gjykatësit e plepave, i mori saliu nga mitingjet me dy gishta I bëri gjykatës me 2 gishta, edhe i bënë pronat lesh e li”, shtoi ai më tej.

Reagon Vasili

Ndërkohë kreu i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Petrit Vasili u është përgjigjur deklaratave të socialistëve se ‘nuk mund të ketë më makinë me dy timonë’, duke nënkuptuar kështu dhe të ardhmen koalicionin mes dy palëve. Përmes një statusi në rrjetet sociale , Vasili theksoi se këto teorira i ka dëgjuar në 1994-ën, ndërsa shtoi se fundi i makinave me një timon dhe pa frena është gjithmonë i njëjtë. “Tafmaja e makinës me një timon. Po dëgjoj këtë teorinë e dy timonëve. E kam dëgjuar edhe në 1994 kur mbahej referendumi për një timon në një makinë blu. Fundi i makinave me një timon dhe pa frena ka qenë gjithmonë i njëjtë. Populli është aty, më i vëmendshëm se në 1994”, deklaroi Vasili.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button