BE do t’i ndjekë zgjedhjet në Kosovë me 100 vëzhgues
Bashkimi Evropian do të dërgojë mision prej 100 vëzhguesish për ndjekjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë që do të mbahen më 11 qershor.
Me unanimitet është miratuar memorandumi i bashkëpunimit në mes të KQZ dhe Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Kryesuesja e KQZ-së Valdete Daka ka thënë, se edhe në këto zgjedhje sikur edhe në ato të vitit 2014 do të ketë një mision vëzhgues të Bashkimit Evropian.
“Nga shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë. Natalia Apostolova mora konfirmimin se nga BE-ja do të jenë 100 vëzhgues. Sipas të gjitha gjasave të shtunën do të zbarkojnë, por sigurisht se duhet të miratohet memorandumi i Bashkëpunimit me BE-në në mënyrë që ky mision vëzhgues të filloj vëzhgimin e tërë procesit”, ka thënë ajo për botimin elektronik të gazetës prishtinase “Ekspres”.