Kurti sot do të raportojë në Kuvend për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të raportojë në Kuvend në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi, të enjten, nga ora 13:00. Kjo u bë pas kërkesës së liderëve të partive opozitare në Kuvend, pas takimit të nivelit të lartë që Kurti e kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel.

Këtë ditë, Kurti dhe Vuçiq u pajtuan të pranojnë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, transmeton REL.

Mocionin për ndryshimin e rendit të ditës të seancës për të përfshirë një raportim të kryeministrit para deputetëve, e bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku, gjatë prezantimit të këtij mocioni, kritikoi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Marrëveshja(propozimi evropian) e paprezantuar në Kuvend, u prezantua po në natën e 27 shkurtit. Nga ky publikim u vërtetuan të gjitha brengat tona të ngritura në këtë Kuvend. Ajo as nuk ishte finale, as nuk përmbante njohjen e ndërsjellë”, tha Abdixhiku.

Ai tha se preambula e këtij propozimi që ndër të tjerat përmban tekstin “për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës” dhe “pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit”, paraqet dëm historik për Kosovën.

“Marrëveshja Kurti-Vuçiq përveçse tejkalon trashëgiminë e së shkuarës, sjell neturalitetin ndaj statusit politik dhe atë si vlerë”, tha ai.

Kryeministri Kurti nuk ishte i pranishëm në Kuvend dhe këtë fakt e kritikoi kryetari i partisë tjetër opozitare, Memli Krasniqi, nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Sot është dita e katërt që prej kur kryeministri ka deklaruar se e pranon marrëveshjen në bazë të propozimit evropian. Një politikan i përgjegjëshëm do të kishte ardhur vetë, pa e ftuar. Por, kryeministri i Kosovës nuk është këtu as sot. Unë nuk e kuptoj çfarë pune më të rëndësishme ka sot”, tha ai.

Në fillim të seancës, kërkesën e opozitës dhe komentet e tyre për propozimin evropian i kundërshtoi Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Dua t’ia kujtoj Lumir Abdixhikut se nga e njëjta foltore e ka akuzuar kryeministrin për izolim të Kosovës, për mosbashkërendim me aleatët ndërkombëtarë…”, tha Kusari-Lila.

Më vonë, Kusari- Lila bëri të ditur në Kuvend se Kurti është treguar i gatshëm për të raportuar në Kuvend më vonë.

Deputetët më pas votuan mocionin që debati parlamentar në lidhje dialogun Kosovë-Serbi dhe raportimi i Kurtit të nisë nga ora 13:00.

Propozimi evropian është thënë se synon që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button