Rama: Mesazhi i BE, zhbllokoni Vettingun

Kryeministri Rama iu referua rëndësisë së mesazhit të Komisioneri Hahn për të ardhmen europiane të Shqipërisë, shkruan Top Channel.

“Jo vetëm në letrën e Hahn, por nga të gjitha kontaktet me Brukselin, Berlinin, Europën, mesazhi është i qartë, reformë në drejtësi, zhbllokim i Vettingut, vazhdim me vendosmëri e reformave që bëjnë shtet dhe kurrsesi jo sjellja e papranueshme e PD me zgjedhjet do të vendosin fatin europian të Shqipërisë”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, tani nuk ka më asnjë dyshim për njohjen e zgjedhjeve të 18 qershorit pa Partinë Demokratike.

“Vetë demokratët e thjeshtë po e braktisin lidershipin e tyre të verbër, ndërsa jashtë vendit PD-së i janë prerë të gjitha kontaktet serioze. Lidershipi i asaj partie i ka humbur të gjithë miqtë dhe partnerët dinjitoz të Shqipërisë, përfshirë edhe miqtë seriozë të së djathtës europiane që nuk e kanë lënë kurrë PD-në në ‘baltë’. Kush mendonte dhe propagandonte marrëzinë se pa PD nuk ka zgjedhje në Shqipëri e ka marrë troç përgjigjen që Europa e bashkuar funksionale e ka dhënë ndonjëherë në një situatë të ndezur politike në Shqipërinë e 27 viteve të fundit”, tha Rama.

Pa Partinë Demokratike, Kryeministri Rama tha se do të zhbllokohet edhe Vettingu.

“Parlamenti i ri pa PD, menjëherë do të zhbllokojë Vettingun në votimin e parë të legjislaturës së ardhshme”, tha Rama.

Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve, përfshirë atyre demokratë sërish të shkojnë në votime për të vulosur, siç u shpreh ai, fatin europian të Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button