Matoshi: Erdha në AAK sepse kam besim në Ramush Haradinajn ashtu siç kisha në Ibrahim Rugovën
Pas lajmit që bëri bujë për anëtarësimin e ish-gazetares Arbana Xharra në PDK, një veprim të ngjashëm ka ndërmarr edhe analisti i njohur, Halil Matoshi.
Në një konferencë për media në zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku morën pjesë lideri Ramush Haradinaj dhe zëdhënësi Muharrem Nitaj, është zyrtarizuar aderimi i Matoshit në këtë parti.
Ai tha se anëtarësimin në këtë parti e bën për shkak se i beson liderit të saj, Ramush Haradinaj, ashtu siç i ka besuar ish-presidentit Ibrahim Rugova.
“Politika është besim, i kam besuar dy njerëzve në politikë, Ibrahim Rugovës dhe Ramush Haradinajt. Nëse nuk kemi besim me kë ecim, nuk na presin rezultate të mira. Duhet t’ua kthejmë besimin qytetarëve. Me AAK-në jam për shkak të besimit dhe vetëm besimit tek z. Haradinaj”, ka thënë Matoshi në fjalimin e tij gjatë konferencës për media ku u zyrtarizua aderimi i tij në këtë subjekt politik, raporton KTV.