‘Garancia për unitaritet të Maqedonisë’-blerje kohe nga Ivanovi, ka mbetur pak kohë për formim të Qeverisë

Kërkesa për garanci të unitaritetit të Maqedonisë nga kryetari Gjorge Ivanov dërguar Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) si mundësi për dhënie të mandatit kreut të saj Zoran Zaev për formim të Qeverisë nuk bazohet në arsye logjike dhe kushtetuese ngaqë siç shprehet profesori i juridikut Dragi Rashkovski nuk mund të garantohet unitariteti i Maqedonisë nëpërmjet të asnjë dokumenti e as programi qeveritar, shkruan Portalb.mk.

Ai vlerëson se garancia e kërkuar nga kryetari Ivanov është e panjohur për sistemin e drejtësisë së Maqedonisë.

“Sistemi i drejtësisë në Maqedoni nuk njeh ndonjë akt deklarateje për garantim të unitaritetit. Unitariteti nuk mund të garantohet nga askush. Por, gjithkush që është në pozitë të caktuar në pushtet mund të garantojë se do të bëjë çmos çfarë është në kuadër të mundësive të tija që të ruajë unitaritetin”, shkruan Rashkovski në fejsbuk.

Ai thotë se mund të garantohet për veprimet që do të merren nga ne në mënyrë vetanake tek sa jemi bartës të një funksioni por jo edhe për veprimet e të tjerëve.

“Gjithkush mund të garantojë për veprimet e veta, por jo edhe për të tjerët. Politikanët, policët dhe shërbimi ushtarak me fuqinë fizike janë ata që kanë për obligim të mbrojnë Maqedoninë, por jo edhe të garantojnë unitaritetin. Shembull – Prindërit bëjnë çmos që të mbrojnë fëmijët e tyre nga uria dhe të ftohti, por nuk garanton se fëmija nuk do të sëmuret dhe se do të jetë gjithmonë i ngopur. Ftohja (sëmundja) dhe uria janë dukuri që shkaktohen nga faktorët e jashtëm”, shprehet Rashkovski.

Ai supozon “se këtyre ditëve do të jemi dëshmitar të një nënshkrimi të panevojshëm teatral i pa kërkuar deri më tash”.

Zaev personalisht do ta sigurojë Ivanovin “mos ketë gajle”

Javën që vjen është paraparë takim mes liderit të LSDM-së Zoran Zaev  dhe presidentit të shtetit Gjorge Ivanov, por ende nuk është precizuar sakt dita e mbajtjes së këtij takimi. Madje, Lideri i LSDM-së Zoran Zaev është duke përpiluar garancinë me shkrim të cilën do t’ia dorëzojë personalisht presidentit Gjorge Ivanov. Në këtë dokument Zaev pritet që të sigurojë kreun e shtetit se nuk do të shkelet Kushtetuta dhe nuk do të ndryshohet sistemi unitar i shtetit.

Nga LSDM-ja nëpërmjet kumtesës së dërguar  disa ditë me radhë është sqaruar se programi i qeverisë së re reformuese garanton unitaritetin e Maqedonisë.

“Shumica parlamentare është e gatshme ta riafirmojë para opinionit dhe para Gjorge Ivanovit programin e Qeverisë së re dhe këtë do ta bëjë. Por, interesi i lartë i qytetarëve është që Ivanovi të veprojë në pajtim me Kushtetutën, të ndalojë me të gjitha justifikimet e paarsyeshme që kanë për qëllim tentimin për mbrojtjen e Nikolla Gruevskit nga drejtësia dhe menjëherë t’ia ndajë mandatin për përbërjen e Qeverisë së re, kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev. Qytetarët, komunat, institucionet kanë nevojë për stabilizim urgjent të shtetit”, shkruan ndër të tjerash në kumtesën e LSDM-së.

Përndryshe, ka tashmë disa ditë që kur Ivanov pranoi njoftimin nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi se ka shumicë parlamentare dhe se në afat prej dhjetë ditësh pritet që liderit të LSDM-së, Zoran Zaev t’ia jep mandatin për formimin e Qeverisë.

Ivanov, pas pranimit të njoftimit ka shprehur se pret nga lideri i LSDM-së që ta plotësojë fjalën e dhënë publike se “bashkë me partnerët e koalicionit të sigurojnë garanci për përforcimin e unitaritetit të shtetit dhe se gjithçka do të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button