Tramp e shkarkoi personin që hetonte lidhjet e tij me Rusinë

Vendimi i kryetarit amerikan, Donald Tramp ta shkarkojë drejtorin e Zyrës Federale të Hetimeve (FBI) është veprim tronditës i cili krahasohet me skandalin e “Votergejt” që çoi në shkarkimin e ish kryetarit Riçard Nikson, shkruan Agjencia Franc Pres, njofton Portalb.mk.

“Ky vendim befasues për ndërrimin e Xhejms Komit, i cili gjoja se ka udhëhequr keq hetimin për postat elekronike të Hillari Klintonit, është praktikisht pa-precedent, sepse në historinë e kësaj Byroje vetëm një drejtor është ndërruar deri tani.” shkruan kjo agjenci.

Demokrati i shquar në Senatin, Çak Shumer vlerësoi se Tramp ka bërë “gabim të madh”.

“Kjo nuk është rastësi”, tha Shumer.

Këtij komenti menjëherë në Twitter ia ktheu Tramp: Qaramani Çak Shumer kohës së fundit tha: Nuk kam më besim te ai (Komi), ndërsa pastaj ai filloi të sillet hidhur”.

Senatori nga radhët e republikanëve Riçard Bar tha se e shqetëson “koha dhe shkaqet” për ndërrimin e Komit, derisa kolegu i tij Xhastin Amash, disa pjesë të caktuara të letrës së Trump deri te Komi i quajti “bizare”.

AFP konsideron se ndërrimi i Komit hedh dyshim në hetimin e kësaj Agjencie në lidhje me lidhjet e Tampit me Rusinë.

FBI dhe tre komitetet e Kongresit zhvillojnë hetim për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe lidhjet eventuale të Trampit me të. Si njeri i parë i FBI-së, Komi ka udhëhequr hetim kompleks kundërzbulues të inaugurimit të Trampit.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se ka filluar kërkimi për drejtor të ri të FBI-së. Personi që Tramp do ta emërojë me siguri do të ketë ndikim të madh në përparimin e hetimit dhe pyetja është se a do ta pranojë opinioni rezultatin e saj.

Megjithatë, duke e pasur parasysh shqetësimin e anëtarëve të Kongresit nga të dy partitë për shkak ndërrimit të Komit, pak është e besueshme se ekziston drejtor i kësaj Agjencie që së shpejti të emërohet.

“Drejtori i ri që Tramp do ta emëronte do të mund të ndikonte edhe në atë që FBI krejtësisht të tërhiqet nga ky hetim dhe të mos e zhvillojë atë në mënyrë agresive si Komi. Ai ose ajo do të mund të vendosin të mos bashkëpunojnë plotësisht me hetimet e Kongresit që bazohen në informatat të marra nga FBI-ja.” shkruan AFP.

Në letër, Tramp e njoftoi Komin se vendimi hyn në fuqi menjëherë.

“Edhe pse e çmoj shumë atë që tri herë më keni njoftuar se nuk jam nën hetim, megjithatë pajtohem me vlerësimin e ministrit të Drejtësisë se ju nuk jeni në gjendje që në mënyrë efikase ta udhëheqni zyrën”, thuhet në letrën e Tramp drejtuar Komit.

“Duhet të gjejmë udhëheqësi të re të FBI-së që do ta kthejë besimin e opinionit në misionin e tij për zbatimin dhe aplikimin e ligjit”, theksoi Tramp

Drejtorët në FBI emërohen në mandatin prej 10 vitesh, ndërsa 56 vjeçari, Komi në këtë funksion është vendosur para 4 viteve.

Komi e ka kuptuar nga televizioni se është shkarkuar

Xhejms Komi e mori vesh se është shkarkuar nga funksioni duke ju folur disa agjentëve të FBI-së në Los Angeles, ndërsa në televizion u shfaq lajmi i madh për ndërrimin e tij.

Kjo informatë u shfaq edhe në mediat botërore ndërsa për AFP e konfirmoi përfaqësuesi anonim i lartë i policisë, i cili ka marrë pjesë në Los Angeles.

Sipas tij, kur në televizion u shfaq lajmi, Komi së pari qeshi, vazhdoi të bisedojë me agjentët, ndërsa pastaj kaloi në hapësirën tjetër. Pastaj me aeroplan menjëherë u kthye në Uashington.

New York Times publikoi se Komi së pari mendoi se bëhet fjalë për shaka, por pastaj mori edhe lajmin zyrtar nga kryetari për shkarkimin e tij.

Politiko e transmetoi deklaratën e funksionarit anonim të Shtëpisë së Bardhë, sipas të cilit të gjithë u befasuan nga shkarkimi i Komit.

Trump më shumë se një javë ka menduar për shkarkimin e shefit të FBI-së, ndërsa kur të martën u mor vendimi nuk e ftoi personalisht por dërgoi një pjesëtar të sigurimit personal për të ia dorëzuar shkarkimin e tij.

Ndikimi i rastit “ postat elektronike të Klinton”.

Të martën gjithashtu, FBI e njoftoi Kongresin se Komi e ka ekzagjeruar përfundimin kryesor të hetimit për postat elektronike të demokrates Hillari Klinton, në dëshminë e tij para Kongresit javën e kaluar, publikoi Zëri i Amerikës.

Byroja tha se Komi gaboi kur në mbledhjen e kongresit tha se bashkpunëtorja e Klinton, Huma Abedin ka dërguar “me qindra dhe me mijëra” posta elektronike nga sekretarja e atëhershme në periudhën prej vitit 2009 deri 2013, ish bashkëshortit të saj, kongresmeni Enton Viner.

Sipas përfaqësuesve zyrtarë të FBI-së, numri i vërtetë i postave elektronike ka qenë shumë i vogël.

Komi luajti edhe rolin kyç në zgjedhjet presidenciale në SHBA në të cilat fitoi Tramp.

Në korrik të vitit të kaluar, ai vlerësoi se Klinton ka qenë ”posaçërisht e pakujdesshme” në menaxhimin e postave elektronike në lidhje me sigurinë kombëtare deri sa ka qenë sekretare shtetërore, por se nuk është e nevojshme të jepet akuzë penale kundër saj.

Kah fundi i tetorit, para zgjedhjeve, Komi tha se përsëri hap hetimin sepse FBI ka zbuluar posta elektronike të Klintonit në kompjuterin e Vinerit.

“Klinton konsideron se hetimi i ri i Komit i hapur pak para ditësh së zgjedhjeve me 8 nëntor është një ndër shkaqet pse ajo i ka humbur zgjedhjet.” shkruan AFP.

Dy ditë para zgjedhjeve, drejtori i FBI-së tha se që kur hulumtuesit i kanë kontrolluar postat e reja elektronike nuk kanë zbuluar asgjë të re se mbetet përfundimi i mëparshëm se nuk duhet të ngritet akuzë kundër Hillari Klinton.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button