Mediat spanjolle: Arda Turan do të largohet nga Barcelona
Mediat spanjolle paralajmërojnë se lojtari i përfaqësueses turke Arda Turan në fund të sezonit mund të largohet nga Barcelona dhe ka të ngjarë të vazhdojë karrierën e tij në Premier Ligën angleze, ndërsa ka filluar të filtet për emrat e futbollistëve që do të zënë vendin e tij në Camp Nou, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas katër viteve të kaluara në Atletico Madrid dhe dy vite në Barcelonë, gazetat “El Mundo Deportivo” dhe “Marca” shkruajnë se tashmë është e qartë se Turan këtë verë do të largohet nga La Liga spanjolle.
“Barcelona dëshiron të shesë futbollistin turk për më së paku 25 milionë euro. Në vend të tij Barca dëshiron të sjellë mesfushorë cilësorë, ku i pari në listën e të preferuarve janë Angel Di Maria nga PSG, Reus nga Borussia Dortmund dhe Vitolo nga Sevilla”, shkuran gazeta në fjalë, e cila i referohet një burimi të paidentifikuar nga Camp Nou.
Duke theksuar se Arda nuk ka përmbushur pritjet duke luajtur në nivelin e Andres Iniesta dhe Neymar, gazeta spanjolle pohon se largimi i tij nga ekipi i Barcelonës është i sigurtë, për shkak se nga klubi do të largohet edhe trajneri Luis Enrique i cili deri më tani ka qenë “mbrojtësi” i Turan-it.
“Barcelona tashmë ka refuzuar një ofertë me vlerë 18 milionë euro nga Kina, por ajo është ende aktuale. Megjithatë, menaxheri i Arda Turan-it është duke negociuar me Arsenalin dhe Interin të cilët dëshirojnë ta kenë në radhët e tyre. Burimet e afërta me Ardan pohojnë se karrierën në sezonin e ardhshëm ka gjasa ta vazhdojë në Angli”, shkruan “El Mundo”.
Paralelisht me këtë, gazeta spanjolle “Marca” shkruan se Arda është i pari në listë që mund të largohet nga Barcelona. Po ashtu edhe kjo gazetë shkruan se Barcelona dëshiron të shesë 30-vjeçarin Arda i cili ka nënshkruar një kontratë me Barcelonën deri në vitin 2020.