Rama i përgjigjet Bashës: Më 13 maj nuk do të bëhet asgjë, duan thjesht të trembin votuesit

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratave kërcënuese të kryeopozitarit Basha, se nuk do të ketë zgjedhje më 18 qershor. Në një miting me votuesit për herë të parë në Berat, ai iu referua bojkotit të zgjedhjeve nga PD, ndërsa deklaroi se opozita s’do bëjë dot asgjë në 18 qershor dhe se sipas tij, do të jetë vullneti i qytetarëve ai që do të triumfojë, transmeton Agjensia e Lajmeve Sot News.

“Ju e keni marrë vesh se PD ka vendosur të braktisë zgjedhjet, të hyjë në rrugën pa krye të frikës që e ka kapur lidershipin e saj nga drejtësia dhe duke qenë se janë tmerrësisht të trembur nga zbatimi i reformës në drejtësi, duan që në Shqipëri të mos bëhen zgjedhje dhe duan t’i trembin të gjithë ata që jetojnë në këtë vend, se po nuk u bë siç duan ata që drejtojnë PD, këtu do të bëhet nami. Të jeni të sigurt se këtu s’do bëhet asgjë tjetër veç vullnetit të burrave dhe grave që e duan Shqipërinë si gjithë Europa, me punë me mirëqenie”, është shprehur kryeministri. Kreu i qeverisë e cilësoi 18 qershorin si momentin vendimtar për të ndarë Shqipërinë nga e kaluara. Ai tha se qytetarët do firmosin pushimin nga puna të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

“Në 18 qershor do pushojmë nga puna gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Në 18 qershor, rruga e vetme është rruga për të bërë shtet. Të votosh për herë të parë është një moment shumë i rëndësishëm. Në 18 qershor, ne do të ndahemi njëherë e mirë nga e kaluara. Do ecim drejt Europës, apo do kthehemi pas për t’u futur në bunkerin e plastmasit ku PD po shkruan historinë e saj më të shëmtuar. Më 18 qershor nuk vendosim thjesht se kush do qeverisë, por si do jetë Shqipëria e 15 viteve të ardhshme. Na duhet të jemi të vetëdijshëm se të votosh do të thotë të vendosësh dhe sa më shumë shoqe, shokë, miq, të njohur, ju të merrni me vete në këtë rrugë që kemi nisur së bashku dhe sa më të bashkuar të jemi në 18 qershor, aq më e fortë do të jetë Shqipëria që duam”, deklaroi dje Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button