Opozita dorëzon mocionin, kërkon edhe 19 vota për rrëzimin e qeverisë

Janë 42 deputetë të Kuvendit të Kosovës, 30 nga partitë opozitare dhe 12 nga partitë tjera, përfshi edhe ato në pushtet dhe deputetë të pavarur, që kanë nënshkruar mocionin për rrëzimin e qeverisë aktuale, njofton REL.

Nënshkrues të mocionit janë edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Përfaqësuesit e opozitës, janë paraqitur para medieve menjëherë pasi që kanë proceduar mocionin në Kryesinë e Kuvendit.

Shefja e Grupit Parlamentar të partisë Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, tha se janë tashmë 42 nënshkrime të deputetëve, të cilat i janë proceduar Kryesisë së Kuvendit nga e cila tani pritet të thirret seanca për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

“Ka edhe deputetë tjerë që nuk e kanë nënshkruar mocionin, por presim që ata në seancë ta përkrahin rrëzimin e kësaj qeverie”, ka thënë Bajrami.

Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Aida Dërguti tha se tash gjithçka mbetet të vendoset në seancë plenare, ku deputetët duhet të deklarohen për apo kundër mocionit.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se tri vite të kësaj qeverie e dëshmojnë se është i domosdoshëm një mocion i tillë, pasi që për këto tri vite, sipas tij, kishte vetëm keq-qeverisje.

Sidoqoftë, mocioni prej 42 nënshkrimeve, sipas iniciuesit, është i mjaftueshëm vetëm për thirrjen e seancës, kurse për rrëzimin e qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve, që nënkupton se opozitës i duhen edhe 19 vota shtesë.

Në rast se ky mocion i opozitës dështon, atëherë sipas akteve ligjore Kushtetuese, brenda 90 ditëve të ardhshme nuk mund të ngritet një mocion i ri i ngjashëm, që do të kishte si qëllim shkarkimin e qeverisë.

Ndërkaq, në rast se mocionin e mbështesin 61 deputetë në seancën plenare, atëherë mbetet në vendimin e presidentit që ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button