Rama: PD refuzoi gjithçka. Ftoj Bashën të mos dëgjojë më Saliun

Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë të mbajtur paraditen e së enjtes ka rikonfirmuar mbajtjen e zgjedhjeve më 18 qershor dhe ka theksuar se PS i ka nisur tashmë përgatitjet, shkruan Top Channel, njofton Portalb.mk.

“Në lidershipin e PS po zhvillohet një punë e posaçme për të ndërtuar strategjinë elektorale, që bazohet në anketimet e publikut, në fokus grupet e ndryshme, ku dëgjohen votues të majtë e të djathtë, të lëkundur, etj. Pastaj do të përcaktohet programi dhe kalendari politik deri ditën e zgjedhjeve”, ka deklaruar Rama.

Sa i takon PD-së, Rama ka thënë se strategjia e saj ka qenë bllokimi i vettingut, ndërsa bojkotin e saj e ka cilësuar absurd.

“Edhe pse surprizën e bllokimit të vettingut e kam pritur, nuk kemi pritur bojkotin e Parlamentit dhe lidhjen e këtij halli me zgjedhjet. Që do të thotë se PD mori përsipër një aksion shumë të rrezikshëm për vetëveten, por jo pa asnjë shans për të pasur sukses”, ka thënë Rama.

Sipas tij, shansi i vetëm për këtë sukses ishte duke përçarë shumicën dhe duke ndikuar tek Ilir Meta dhe LSI, por pa sukses. “PD ka dështuar me sukses. PD hyri në një betejë për të marrë peng qeverinë, për të marrë peng reformën në drejtësi”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se, PD kundërshtoi në mënyrë absurde edhe gatishmërinë e mazhorancës për të gjetur një figurë konsensuale për presidentin e Republikës. Por, edhe figura e Ilir Metës, sipas tij, është më konsensuale se kurrë.

“PD ka vendosur një mur absurd mes vetes dhe sistemit demokratik në Shqipëri. Edhe për presidentin e Republikës pati përpjekje për një figurë konsensuale. President më konsensual se Meta, PD s’kishte ku e gjente as në tokë e as në hënë”, ka vijuar Rama.

Ai ka shtuar më tej se, presidenti i zgjedhur ka bërë të gjitha përpjekjet për të bindur PD që të zhbllokojë vettingun dhe të krijonte një bazë barazie në zgjedhje, por e djathta ka refuzuar.

Madje, ajo ka refuzuar edhe ofertën për një sistem monitorimi të strukturave shtetërore në zgjedhje përmes një zv.kryeministri të emëruar prej saj.

“Propozuam një task forcë që do të monitorojë sjelljen e plotë të shtetit në fushatë. Zv.kryeministri i propozuar nga PD do të vihej në krye të task forcës, së bashku me një vëzhgues të caktuar nga SHBA dhe BE”, ka thënë Rama.

Në fund, kryeministri i ka drejtuar një mesazh direkt rivalit të tij politik. “Ftoj Bashën të mos dëgjojë më Saliun, por të udhëheqë PD e të bëhet lideri që nuk është”, ka thënë Rama.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button