Shtetthi që nuk bëhet

Më në fund ranë coftë të gjitha iluzionet dhe shtetthin e shoh nudo. Këtë shtetthin e çudirave, të varrosur mbrëmë nga prijësit hajdutë, kriminelë e budallenj dhe nga banda e maskuar e qyqarëve të përkëdhelur nga sivëllezërit e tebdilosur në mbrojtës të rendit dhe qetësisë publike.

Ç’pamje makabre!

Turma të tërbuara dykëmbëshish të dresuar për gjynah dhe të etur për gjak, britma kanibaleske për hakmarrje dhe dhunë e egër mbi deputetët e zgjedhur të popullit në mënyrën më legjitime të mundshme, të prirë nga flamujt dhe këngët vrastare të demokracisë, që ndoshta do të lindë nesër.

Vallë ka mundur të ndodhë ndryshe në vendin në të cilin kultivohet me sistem kulti mbi komorat e gazit dhe sëpatës që duhet të presë koka “indianësh”? Se mos janë të sotme britmat për bërjen zap të Gjuhës shqipe, për disiplinimin e shqiptarëve, për ushtrimin e padrejtësive mbi ta, për statusin e tyre prej robi, për dëbimin e tyre jashtë trojeve ku jetojnë me shekuj dhe prej se mbahet mend, për shfarrosjen masive të etnisë së vetme që i pranoi fqinjët mosmirënjohës pa asnjë kusht dhe pa i vajtur mendja se një ditë mund të bëhet viktimë e pambrojtur e maskarenjëve me maska.

Tani, kush e di mirëfilli sa do të zgjasë dhe ku do të përfundojë dhuna mbi të gjithë ata që mendojnë ndryshe prej pleshtit mbret? Kur do të përfundojë dhuna ndaj përfaqësuesve tanë (jo të kishe shqiptarëve të tebdilosur në heronj pallavrash, natyrisht), e cila mbrëmë u manifestua para syrit të gjithë botës mbi Zijadin Selën – deputetin që artikuloi zëshëm dhe bindshëm atë që ndjejnë shumica e shqiptarëve, pavarësisht të dhënës kujt ia kanë qitur dhe kujt do t’ia qesin votën në të ardhmen. Dhuna e ushtruar mbi Zijadin Selën qe dhunë mbi qenien shqiptare. Ajo qe pritshme dhe e paralajmëruar nga një deputet me emër miu, që para pak ditësh, në foltoren e kuvendit tha se ia ka mbledhur betë Zijadinit, sepse ky qysh moti po i provuaka minjtë e kabiles së minov-ëve. Dëshmi për këtë është deklarata fashizoide e një shqiptarngrënësi të çakërdisur, i cili përshëndet i ekzaltuar njërin prej xhelatëve të mbrojtur nga krerët e shtetthit që nuk bëhet: Ç’ndjenjë e jashtëzakonshme kur e rahe brutalisht Zijadin Selën me shqelma në kokë. Rri shtrirë poshtë pi.kë shqiptare!!!

Kështu shkruan kanibali i shtetthit ku e ngrysim jetën unë, ti, ne… Ku bëjmë plane jete edhe për fëmijët, nipat dhe mbesat tona. Ku paguajmë tatime të majme. Ku ndajmë para për blerje armësh “mbrojtëse” dhe mirëmbajtje njësitesh speciale që përshëndesin para kamerave dhunuesit e të zgjedhurve të popullit në mënyrën më të paqme të mundshme.

Jua rikujtoj (këtë pjesë e huazova nga një shkrim i botuar në vitin 1997) se Platoni i urtë, gjithë ata që akoma s’janë goditur nga damllaja e syve të mendjes, porosit: për njeriun është më i dashur shteti që ofron më shumë të drejta, liri dhe të mira të tjera… Analogjikisht me këtë (edhe) çafkat e kanë të qartë se shqiptarët nuk mund të jenë lojalë (më drejtë: nuk u lejohet) ndaj shtetthit i cili i gudulis xhelatët e tyre potencialë – tifozët e komorave të gazit dhe shfarrosjes. Ndaj, nëse vallet kanibaleske dhe marshet e kanc-llogoreve do të vazhdojnë të trajtohen edhe më tej si pordhë fëmijësh, atëherë dihet: do ta detyrojnë edhe shqiptarin më të fjetur nga ninullat e vëllazërimbashkimit të kthehet definitivisht kah Ëma e tij, tok me pasuritë e patundshme. Sepse, sigurisht do pajtohemi: në kushte të komorave të gazit dhe gjuetisë legale të indijanëve…, më shumë josh kalldërma e keqe se sa udha fluide e parajsës…

Kaq.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button