Marrëdhënia “fetishiste” e gjermanëve me automobilët

Nëse do të zëvendësohej logoja sipër hyrjes me një kryq, kjo ndërtesë do të ngjante tamam me një katedrale. Frank Brockhaus, pronari, flet për një ritual që këtu kryhet publikisht përditë, me qindra herë. Rezultati është ai i shpresuar prej çdo ati shpirtëror: njerëzit ikin të lumtur, shkruan Rudolf Nojmajer në një artikull për të përditshmen gjermane Süddeutsche Zeitung. Kanë pastruar makinën e tyre. Autolavazhi pra, është një vend kulti. Po makina?

Filiali i zinxhirit të autolavazhëve “Mr. Wash”, në Heilbronner Strasse të Shtutgartit, është më i madhi në Europë. Ka një sipërfaqe 25 mijë metra katrorë, pothuaj sa katër fusha futbolli. Vitin e kaluar, Frank Brockhaus regjistroi 430 mijë larje, me kulmin, 3600 lavazhe, në vetëm një pasdite prilli.

Me këto shifra, mund të mendohet se autolavazhi i madh i Brockhaus është i vetmi në Shtutgart, por në fakt janë më shumë se njëzetë. Por slogani i “Mr. ëalsh” është i pakonkurrueshëm: “Makinë e pastër, humor rrëzëllitës”. Kur makina mbahet mirë, edhe pronari ndihet më mirë. Kaq e thjeshtë është.

Në Shtëpinë e historisë të Republikës Federale të Gjermanisë në Bon, po zhvillohet një ekspozitë mbi automobilët me titull: “E dashur. E përdorur. E urryer. Gjermanët dhe makinat”.

Kuratorët e ekspozitës, Thorsten Smidt dhe Ulrich Op de Hip kanë patur idenë që të presin vizitorët, mes ruleve të një autolavazhi. Furçat e të cilit janë të zeza, të kuqe dhe të verdha, ashtu si flamuri gjerman. Në bazë të kësaj ekspozite historike, është konstatimi se “pa automobil, shoqëria moderne gjermane do të ishte e pamendueshme”, siç e shkruan në katalog historiani Hans Peter Schwarz.

Schwarz i ka vënë një pikëpyetje titullit të librit të tij: “Një simbol i identitetit gjerman?” natyrisht, edhe në vende të tjera ka njerëz që adhurojnë makinat. por vetë akti që autolavazhi më i madh i Europës ndodhet në Baden-Württenberg dhe jo në Londër, sigurisht që tregon shumë. Për të mos folur për faktin që, në kioskat gjermane, revistat e automobilëve zënë rafte të tëra, ndërkohë që në Francë apo në Zvicër numërohen me gishtat e njërës dorë. Gjashtë libra të historisë gjermane që kanë dalë në 40 vitet e fundit, të ekspozuar prej kuratorëve në Bon: të gjithë kanë në kopertinë të njëjtin simbol, një makinë. Në pjesën më të madhe të rasteve, një Volkswagen.

Psikanalisti Micha Hilgers studion prej kohësh marrëdhënien mes njeriut dhe mjetit të tij. Sipas këndvështrimit të tij, makina për shumë njerëz është më shumë se një objekt kulti. Mund të shndërrohet në një fetish, që e bën jetën reale të rrëshkasë në sfond, ka shkruar ai. Përfaqëson “drithërimën rinore dhe dëshirën për fuqi, tek ata që nuk janë më në lulen e rinisë”.

Prej kohësh, Hilgers ka studiuar fiksimin pas pastërtisë së makinës, edhe në vende të tjera. Për të lavazhet, të interpretuar nga pikëpamja psikologjike, janë një shtyrje e pafajshme e marrëdhënies me katër-rrotakët, me atë mjet gjithnjë e më të fuqishëm, që pikërisht prej aty, nga qendra e trupit të vet, bëhet evident përmes zhurmës së motorrit dhe impiantit stereo”.

Epsh me katër rrota

Në të gjitha pamjet publicitare të makinave të ekspozuara, lidhja mes seksit dhe makinave është përherë e dukshme. Dhe është e vështirë të mohosh se shumë klientë të autolavazheve gjermane, kanë me makinën e tyre një lidhje më pasionante, se sa me cilindo objekt tjetër. Pothuaj dy të tretat e makinave që kalojnë nga Mr. Wash, as nuk kanë fare nevojë që të lahen. Në fund të fundit, ritualet kanë shumë pak të bëjnë me racionalitetin.

Kujdesi për automjetin, është pra në nëj farë mënyre, kulti i trupit. Edhe Frank brockhaus, që është 32 vjeç, e lan makinën një herë në javë. Dhe kur sheh një të gërvishtur, me pjesën e brendshme me pluhur, nuk arrin ta mbajë “urrejtjen”. Jo sepse është pronari i një autolavazhi, por sepse i vjen sinqerisht keq për makinën dhe ndien turp për pronarin. Në fund të fundit, njeriu nuk del nga shtëpia me pantallona të pista. Siç kujton Hilgers në katalogun e ekspozitës, në vitet shtatëdhjetë pati një debat të madh në shtyp, ku pyetej nëse gjermanët lanin më shpesh makinat se sa të brendshmet e tyre. / Me shkurtime nga Süddeutsche Zeitung – Bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button