I rremë alarmi për mjet shpërthyes në Gjykatën e Tetovës

Pjesëtarët e Njësitit për antiterrorizëm të MPB-së sot pas orës 13 kanë kryer kontroll brenda Gjykatës Themelore Tetovë dhe hapësirës rreth tij, me ç’rast nuk kanë gjetur kurrfarë mjetesh shpërthyese apo të tjera, pas alarmit të sotëm se ka mjet shpërthyes në gjykatës, kumtoi MPB.

“Tridhjetë e nëntëvjeçarja N.J. nga Tetova, sot rreth orës 8 e 40 minuta ka denoncuar në Stacionin policor Tetovë se në mëngjes kur ka hyrë në zyrën e saj të avokatisë të locuar në rrugën “Strushka” në Tetovë, në dysheme ka vërejtur një letër”, thuhet në kumtesën e MPB-së.

Nga policia informojnë se ajo e ka marrë letrën, e ka hapur dhe në të ndodhej një letër në të cilën me dorë, me alfabet cirilik, është shkruar: “Më 13 prill do të bombardohet Gjykata në Tetovë, brenda ka sasi të madhe eksploziv, mjaft më luajtët me popullin, kumtesë UÇK”.

Për ngjarjen menjëherë është njoftuar prokurori publik i cili i ka dhënë udhëzimet për masat dhe aktivitetet të cilat duhet të ndërmerren, me ç’rast më shumë shërbime të SPB Tetovë janë dërguar rreth objektit dhe brenda objektit të Gjykatës Themelore Tetovë, ndërsa janë njoftuar edhe shërbimet përkatëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup.

Është kryer kontroll i plotë dhe Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë është duke punuar në zbardhjen e rastit, gjegjësisht se kush, pse dhe me çfarë motive e ka lënë letrën në zyrën e avokatisë së N.J. dhe cili ka qenë qëllimi, thonë nga MPB.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button