“Romët në rajon vazhdojnë të luftojnë për pozitë më të mirë në shoqëri”

Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë rome, traditave dhe kulturës, por njëkohësisht shërben për të bërë thirrje për përfshirjen e tyre sociale. Burimet historike thonë se kjo përkatësi etnike ka emigruar nga nënkontinenti indian, ndërsa në Ballkan dhe Evropën Qendrore kanë mbërritur rreth shekujve 13-14, mirëpo ardhja e tyre nuk u prit mirë. Vendasit krijuan urrejtje dhe intolerancë ndaj kësaj popullsie, ndërsa në disa vende u ndërmorën herë pas here fushata dëbimesh të romëve. Urrejtja ndaj këtij populli arriti kulmin gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur me qindra mijëra romë u vranë nga nazistët.

Popullsia rome është e shpërndarë në pothuajse të gjitha vendet evropiane. Sipas disa studiuesve vendi me popullsi më të mëdha rome në Evropë është Rumania me rreth 2 milion romë, ndërsa qindra mijëra romë jetojnë edhe në Hungari, Spanjë, Francë dhe Bullgari.

Vetëm në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë jetojnë mbi 100 mijë romë, mirëpo gjendja e tyre në këto vende është e vështirë. Ata jetojnë nëpër pjesë të paurbanizuara të qyteteve, kryesisht të varfër, ndërsa një pjesë dërmuese e tyre përballen me mungesën e arsimit, shkruan Anadolu Agency (AA).

“Viteve të fundit, ndryshime pozitive të romëve në Maqedoni”

Në Republikën e Maqedonisë jetojnë rreth 80 mijë romë, shumica e të cilëve në pjesën lindore të vendit dhe në Shkup. Ndryshe nga vendet tjera të Ballkanit, në periferi të kryeqytetit të Maqedonisë ndodhet Komuna e vetme rome në Evropë, Shuto Orizari, në të cilën 80 përqind e banorëve janë të përkatësisë rome.

Romët e Maqedonisë janë të pasuruar edhe me media në gjuhën rome, me anë të të cilave informohet ana e edukuar dhe e arsimuar e kësaj përkatësie etnike. Në televizionin dhe radion shtetërore, romëve u jepet mundësia që një kohë të caktuar të emitojnë programe në gjuhën e tyre amtare.

Po ashtu, në komunën Shuto Orizari ndodhet edhe shkolla fillore “Braka Ramiz dhe Hamid” nxënësit e të cilës shumica janë romë dhe disa orë mësimore i ndjekin në gjuhën e tyre amtare, rome.

Kryetar i parë i kësaj komune rome i cili u zgjodh në vitin 1996, ndërsa aktualisht është ministër paresor, përgjegjës për çështjen rome në Qeverinë e Maqedonisë, Nexhdet Mustafa, për AA shprehet se popullsia rome në Maqedoni nuk është e kënaqur me statusin e saj ekonomik.

Për avancimin e këtij statusi, sipas tij, nevojitet koordinim mes sektorit të tij dhe organizatave joqeveritare rome në shfrytëzimin e instrumenteve për integrim ekonomik të përkatësisë rome, të tilla si trajnime në profesione të ndryshme që do t’u mundësojnë punësim më të lehtë.

Mirëpo, Mustafa konsideron se viteve të fundit ka ndryshime pozitive tek popullsia rome.

“Viteve të fundit kemi ndryshime pozitive. Mbi 200 romë, për herë të parë i shfrytëzojnë privilegjet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Kjo është shenjë e mirë se Maqedonia me këtë lloj koncepti të afirmuar multi-etnik mund të ndërtojë shoqëri të kënaqshme”, deklaron Mustafa.

“Në Kosovë të drejtat e romëve janë të garantuara, por nuk zbatohen”

Sipas regjistrimeve të fundit të popullsisë në vitin 2011, Republika e Kosovës ka rreth 9 mijë banorë romë. Deputet në Kuvendin e Kosovës nga Partia e Romëve të Kosovës, Kujtim Paqaku, për AA thotë se numri i saktë i romëve në këtë vend ende nuk dihet, sepse sipas tij, regjistrimi i popullsisë nuk garanton të vërtetën, pasi që në aktivitetet e regjistrimit nuk ka pasur asnjë regjistrues të përkatësisë rome.

Sa i përket të drejtave të këtij komuniteti, Paqaku thotë se sipas Kushtetutës së Kosovës, romët kanë të drejta të garantuara, por ato nuk realizohen në praktikë. Ai thekson se “ka mjaftë diagnoza të cilat duhet të shërohen”.

“Problemet e romëve nuk mund të zgjidhen parcialisht, por duhet të futen në një pako ku do të përfshihen katër pikat kryesore, banimi, shëndetësia, punësimi dhe arsimi. Një problem tjetër është çështja e të riatdhesuarve, sepse në Kosovë nuk ka strategji për riintegrimin e tyre”, deklaron Paqaku.

Paqaku thekson se përkundër të drejtave të garantuara me Kushtetutë, ky komunitet nuk është i përfaqësuar aq sa duhet në institucionet e Kosovës. Ai shton se ka shumë romë të papunë dhe të varfër të cilët definitivisht kërkojnë integrim.

Ai kritikoi edhe FSK-në, duke theksuar se atje ka diskriminim në punësim. “Nuk mund ta quajmë FSK-në multi-etnike, kur ka 500 pjesëtarë të komunitetit serb, 120 të komunitetit turk, 80 të atij boshnjak dhe vetëm 3 të komunitetit romë”, shprehet ai.

Ndërkaq, duke e kthyer medaljen në anën tjetër, Paqaku tha se këtë vit në universitete kanë arritur t’i regjistrojnë afro 40 studentë, shumica e tyre në Universitetin Publik të Prizrenit.

Paqaku, duke vënë theksin në temën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, tha se kushti i vënë për marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është qesharak dhe që në vend të tij një kusht i përshtatshëm do të ishte “Sa një shtet po i plotëson kriteret e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Pakicave”.

Ai në fund tha se përkundër kësaj gjendjeje, për të dy temat, për transformimin e FSK-së dhe demarkacionin do të votojë “Pro”, duke theksuar se “Jam deputet romë por betimin e kam dhënë në gjuhën shqipe si deputet i Kosovës”.

Romët në Shqipëri vazhdojnë të përballen me kushte të vështira për jetesën

Romët jetojnë pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë, por numri më i lartë i tyre është në qarkun e Tiranës. Pjesëtarët e këtij komunitetit vazhdojnë të përballen me disa problematika dhe vështirësi të ndryshme në jetesën e tyre, që lidhen me arsimin, strehimin, punësimin në institucionet publike apo edhe punësimin në sektorin privat.

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e Shqipërisë ka përgatitur Planin Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve, që parashikon nisjen e aktiviteteve të reja për nxitjen e integrimit edhe të romëve me fondet e parashikuara nga buxheti i shtetit.

Sipas Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në Shqipëri njihet minoriteti etno-linguistik rom. Sipas kësaj ministrie, nga regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë në vitin 2011 u identifikuan vetëm 8.300 romë. Por nga ana tjetër të dhëna të tjera nga studime të ndryshme flasin për 18.276 deri në 120.000 romë, ku sipas këtij institucioni e bën përfshirjen e tyre social-ekonomike me rëndësi për zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Vetë institucionet qeveritare e pranojnë se romët jetojnë në kushte të këqija banimi ku shpesh mungojnë instalimet hidrosanitare, jetojnë në zona periferike dhe pa infrastrukturë pranë.

Të drejtat e këtij komuniteti mbrohen nga aktivistë të vetë komunitetit, institucionet vendase, kryesisht Avokati i Popullit i Shqipërisë dhe Ministria e Çështjeve Sociale dhe Rinisë dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri, të cilët merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button