Spasovski propozon që me përkrahje të 10 deputetëve të zgjedhet kryetari i Kuvendit, Ademi e mbështet
Dje kërkuam të vazhdojmë punën pas orës 18.00 me përkrahje të 61 deputetëve. Ju si kryesues u thirrët në logjikën se kryetari i Kuvendit mund të vendos se a do të vazhdohet dhe sa do të vazhdojë debati, me këto fjalë deputeti i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë, Oliver Spasovski ka filluar debatin e ditës së nëntë të seancës konstituive të Kuvendit, njofton Portalb.mk.
Debati në Kuvend edhe më tej qëndron në pikën e tretë, në formimin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, kurse për fjalim janë paraqitur edhe 45 deputetë të tjerë.
“Meqë është e qartë se ky debat përdoret për shtyerje dhe bllokadë të Kuvendit, unë kërkoj përkrahjen e 10 deputetëve dhe Kuvendi të vendos që të ndërpresim debatin në këtë pikë që të kalohet në pikën e katërt, zgjedhja e kryetarit të Parlamentit dhe për këtë nuk vendos kryesuesi por Kuvendi”, tha Spasovski.
Kryesuesi i seancës Trajko Veljanoski tha se “derisa sa merremi vesh në koordinim që për një, dy orë kohë pune të mbarojmë diskutimin, mund të vazhdojmë kohën e punës”.
“Nuk mundet që në mesin e debatit të njërës pikë, të kalojmë në pikën tjetër”, tha Veljanoski.
Por në përkrahje të deputetit të LSDM-së, Oliver Spasovski ka dalur deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Xhevat Ademi, duke thënë se propozimi duhet të vihet në votim sepse është përkrahur nga 67 deputetë e jo nga 20. Nga ky moment ju nuk keni legjitimitet dhe duhet të kalohet në pikën e katërt ku do të zgjedhim kryetarin e Kuvendit.
Ndërsa për këtë, Veljanoski reagon duke thënë se për kërkesën në fjalë nuk lejon Rregullorja e Kuvendit.
“Për këtë vendos ose Komisioni ose Kuvendi në propozim prej 20 deputetëve”, tha Veljanoski.