Rasti “Ryshfeti”, Zaev kërkon kopjet nga urdhërat për ta ndjekur atë

Rasti “Rryshfet”, ku i akuzuar është lideri i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë, Zoran Zaev, sot sërish u shty, që kur avokatët mbrojtës kërkuan nga Prokuroria Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion që t’ju jep kopjet e dëshmive për rastin, njofton Portalb.mk.

Gjykatësja Dijana Geruevska Ilievska e pranoi mbrojtjen dhe seancën e ardhshme e caktoi për më 4 maj, kur duhet të fillojë përballja kryesore me fjalë hyrëse të Prokurorisë dhe palës mbrojtëse.

“Do të na mundësohet të fitojmë kopje nga dëshmitë që të mund të përgatisim fjalët hyrëse për 4 maj, kur do të fillojë seanca me fjalët hyrëse të palës mbrojtëse dhe prokurorisë”, tha Zoran Zaev pas seancës.

Ai dhe avokatët e tij kanë kërkuar edhe urdhëresat nga masat e veçanta hetimore të shfrytëzuara në rastin në fjalë, sepse, siç tha Zaev, dyshojnë në ligjshmërinë e mënyrës se si janë siguruar.

“Urdhërat për masat e veçanta hetimore i kërkojmë që nga fillimi i procedurës penale. Kërkojmë që të marrim një përshkrim nga urdhërat që të kemi pasqyrë për mënyrën se si janë siguruar masat e veçanta hetimore dhe përgjimit të bisedave të mia telefonike. Në këtë rast ajo nuk na u mundësua. Ne dyshojmë në ligjshmërinë e sigurimit të masave të veçanta hetimore. Prokuroria Themelore Publike i ka shqyrtuar këto biseda për çdo ditë dhe ka hapur procedura të reja para-hetimore dhe hetimore”, tha Zoran Zaev.

Përndryshe, në seancën e fundit, Zaev, nuk është paraqitur në Gjykatë, pasi siç tha avokati, Filip Medarski, ka qenë në Sarajevë që “t’i jepet çmimi si kryetari më i mirë i komunës në Evropën Juglindore”.

Në seancë nuk është paraqitur as dëshmitari i Prokurorisë, Ivan Nikollov Saçevaliev.

Zaev, sipas akuzës, ngarkohet se në cilësinë e personit zyrtar si kryetar i Komunës së Strumicës, nga biznesmeni, Ivan Nikollov, ka kërkuar ryshfet prej 163.924 euro, gjegjësisht nga 2 euro për metër katror tokë ndërtimtare në Strumicës, për të cilën Nikollov ka qenë i interesuar që të privatizohet.

Gjykimi i liderit të LSDM-së për këtë rast deri më tani disa herë është anuluar.

Procesin gjyqësor kundër Zaevit për rastin “Ryshfeti” e udhëheqë gjykatësja Dijana Gruevska-Ilievska, e cila njëkohësisht është edhe zëvendëskryetare e Gjykatës Themelore Shkupi 1.

Zaev, ka kërkuar nga Prokuroria Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion që të emërojë prokuror të ri, në vend të Vlladimir Milloshevski, i cili për momentin e paraqet akuzën në këtë rast, ndërkaq sipas palës mbrojtëse, i ka kaluar mandati më 30 nëntor të vitit të kaluar.

Avokatët e Zaevit, kanë kërkuar largim e Milloshevskit, gjithashtu edhe pasi që i njëjti po hetohet nga Prokuroria Speciale Publike (PSP), për disa vepra penale. Megjithatë, Prokuroria ka hedhur poshtë kërkesat e Zaevit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button