Familja e të burgosurit të ndjerë akuzon dhe kërkon përgjigje nga organet kompetente!

Edhe një rast i vdekjes në burgjet e Maqedonisë! Anëtarët e familjes së të ndjerit të burgosur, 25 vjeçarit Erdall Jusinov, në bisedë për CIVIL Media akuzojnë se përgjegjësi për vdekjen e tij kanë edhe komandantët policor, edhe mjekët nga burgu në Shtip, sepse sipas tyre, nuk ia kanë dhënë ndihmën e duhur. Në bisedë, në shtëpinë e tyre në lagjen e Romëve në Shtip, përveç akuzimeve serioze për gjendjen në burgun e Shtipit, ata kërkonin përgjigje për rezultatet nga obduksioni dhe për arsyen – pse kompetentët e burgut nuk i kanë informuar për vdekjen e Erdallit, por lajmin tragjik e kanë kuptuar nga të burgosurit?

Motra e të ndjerit, Muzej Jusinova, thotë se para se të vdesë vëllai i saj, kanë biseduar përmes telefonit, dhe se ai është ankuar që komandantët dhe mjekët e burgut sillen keq me atë, dhe me Romët tjerë të cilët e kryejnë dënimin me burg.

“Komandantët i kanë thënë: “ O kopil, nuk e kishe keq kur vidhje, e tani ankohesh se ke probleme shëndetësore. Mos trillo, se asgjë nuk ke!”. Vëllai im vdiq i ri dhe pas tij la gruan me dy fëmijë të vegjël. Tani kush do të kujdeset për ata? Ata pranojnë ndihmë sociale prej vetëm 1.300 denarë”, thotë motra.

Vëllai i Erdallit, Xhoshkun Jusinov, për CIVIL Media deklaroi se komandantët nuk i kanë lejuar ta vizitojë vëllain e tij deri sa ishte gjallë. Ai theksoi se rojtarët e burgut në Shtip janë të korruptuar dhe u lejojnë të burgosurve të luajnë bixhoz!

“ Kur shkova për vizitë te vëllai, para se të vdesë, portierët nuk më lëshuan, më thanë: Largohu, se do të fusim në burg dhe do të thyejmë nga dajaku!” Mirëpo, po të kisha para dhe do t’u jepja, siç u japin tjerët, atëherë do të më lëshonin të hyj dhe do të kujdeseshin për vëllain tim, dhe do të silleshin me të ashtu siç duhet”, shtoi i vëllai.

Anëtarët familjes së Erdallit akuzojnë se në burgun shitet drogë – heroinë, marihuanë, tableta…

Bashkëshortja e të ndjerit, Gjynej Durmisheva deklaroi: “Para se të vdiste bashkëshorti im, unë u dëgjova me atë dhe u ankua se ka dhimbje në kokë. Më tha se mjeku i ka dhënë tableta jo të paketuara. Ai ishte analfabet dhe nuk dinte shkrim dhe lexim, por kjo nuk do të thotë se duhet t’i jepen tableta “refus”. Tani ne nuk e dimë shkakun e vdekjes së tij, ndoshta edhe nga tabletat që ia kanë dhënë?”, thotë Durmisheva.

Fadil Mamudov deklaroi se për vdekjen e Jusinovit ka kuptuar nga shokët e tij në burg dhe menjëherë me disa njerëz tjerë kanë shkuar në burgun në Shtip të pyesin nëse kjo është e vërtetë.

“Kur arritëm në burgun, portierët filluan të bëjnë shaka me mua, dhe u thashë: “ Unë nuk kam ardhur këtu në dasmë që ju të luani me mua, por kemi njeri të vdekur, dhe për këtë do t’u padis!”. Mandej, erdhi një komandant dhe na konfirmoi se ka vdekur, por se nuk mund ta marrim trupin e pajetë, sepse duhet të presim të bëhet obduksioni mbi trupin e të ndjerit. Edhe pse nuk lejuam të bëhet obduksioni, megjithatë, ata vendosën ta bëjnë, pa pajtim nga familja”, shtoi Muratov.

Dhëndri i të ndjerit, Fadil Mamudov, për Civilin deklaroi që dyshon se Erdalli ndoshta ka qenë i goditur në kokë. Sepse, sipas tij, ballin e ka pasur të mavijosur dhe të fryrë, ndërsa nga goja i ka rrjedhur gjak.

“ Kur na lajmëruan se ka vdekur, unë organizova automjet varrimi nga xhamia dhe shkuam në burgun ta marrim trupin. Mirëpo nuk na e dhanë, sepse e kishin dërguar në spital të bëjnë obduksionin. Dyshojmë që nuk ka ndërruar jetë nga vdekja natyrore, sepse kompetentët nuk e informuan familjen. Ja, le të paraqesin dëshmi se e kanë informuar dikë, ose që kanë ardhur personalisht të na informojnë…Një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Po të mos ishin lajmëruar shokët e tij nga burgu, ne nuk do ta dinim se ka vdekur!”, tha Mamudov.

Anëtarët e familjes së të burgosurit të ndjerë theksojnë se do ta kërkojnë drejtësinë deri në fund dhe se “Nuk do të lejojnë që fajtorët të kalojnë pa dënim”. Porosisin edhe se Romët nga Shtipi janë të gatshëm të dalin në protestë, nëse nuk zgjidhet rasti.

CIVIL Media ka kërkuar informatë për rastin tragjik nga organet kompetente në burgun në Shtip, por nga atje na drejtuan deri te Drejtoria për zbatimin e sanksioneve. Me kërkesë të bashkëbisedueses nga Drejtoria, dërguam edhe pyetje përmes postës elektronike. Mirëpo, për fat të keq, ende nuk ka përgjigje për pyetjet e dërguara për akuzat serioze të cilat i drejtuan anëtarët e familjes Jusinov.

CIVIL –Qendra për Liri  është duke përgatitur video material nga bisedat me anëtarët e familjes së të ndjerit Jusinov, i cili së shpejti do të publikohet, për rastin edhe më tej do të kërkojë përgjigje nga institucionet përkatëse të vendit dhe do t’i informojë institucionet relevante të huaja.

Civili referonte se numri i personave të vdekur në burgjet e Maqedonisë është në rritje, dhe se vetëm në Idrizovë, gjatë 6 muajve të fundit kanë vdekur 7 të burgosur, ndërsa e publikoi edhe dëshminë e babait të 21 vjeçarit Andrias Rexhepov, i cili më 11 mars, vdiq në burgun në Idrizovë, nën rrethana ende të pasqaruara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button