Nye, pushteti inteligjent dhe dinjiteti

Titulli paraprak  i kësaj kolumne ishte “Biseda në Che (1)”, duke u nisur nga simbolika e një kafeneje prishtinase në Bregun e Diellit ku ka kohë që “realizojmë” seancat e kafesë dhe takimet e bisedat me miqtë e mi intelektualë kosovarë. Këtë radhë me një figurë tanimë mediale, për fat të keq në kuptimin pezhorativ të fjalës (“Diplomati zdrukthëtar”), me Fatmir Fazliun, një sociolog të diplomuar, magjistër i politikës ndërkombëtare dhe diplomacisë, njohës i mirë i diplomacisë publike, ish-asistent në Kolegjin Universitar “Victory”, që për momentin është në “purgatorin profesional”, që merret me përpunimin profesional të drurit, me zdrukthtari. Fatmirin opinioni shkollar e njeh si autor të një vepre me vlerë, Diplomacia publike (ISPN, 2015) ku ai trajton tema shumë deficitare ndër shqiptarë si pushteti i butë (soft power), pushteti i fortë (hard power), ku ai shpjegon dallimet dhe raportin mes diplomacisë publike, propagandës, çështjeve publike, marrëdhënieve me publikun, nation brand, komunikimit strategjik, pushtetit inteligjent dhe opinionit publik ndërkombëtar, diplomacisë së rrjetëzuar (network diplomacy) etj. Fatmiri, që ka bashkëpunuar me shkencëtarë vendorë me peshë si Sabri Kiçmari dhe Martin Berishaj, për momentin, i shtyrë nga ujërat e turbullt shoqërorë në një profesion – thënë kushtimisht – të ulët, marangozllëku, për një profil të tillë siç e njohim dhe përshkruajmë, prapëseprapë mbetet i ditur, i urtë dhe para së gjithash modest, njeri me vlera.

Po qysh je Fatmir, si ia kalon? – ia nisim bisedës.  “Ja, i nderuar, po pauzoj nga shkenca pak, me detyrim, kemi bërë fasada të jashtme të drurit për shtëpi, prodhojmë dyer, i jam kthyer zanatit familjar.” “Ndërkohë jam duke përgatitur skicën ideore të doktoratës sime në një universitet finlandez, në sferën e dyshes smart power dhe shtetet e vogla, në bashkëpunim me një profesor amerikan që jeton në Finlandë.” Dhe menjëherë ngjallet insktinkti prej përkthyesi tek unë. Smart power, si të shqipërohet ai? Fuqi, forcë, pushtet inteligjent, pushtet i zgjuar? Në fakt, smart power, ky term i shpikur nga Jospeh Nye, ndihmës Sekretar Shtetëror në administratën e Klintonit dhe autor i shumë librave në sferën e strategjisë së fuqisë inteligjente, në marrëdhëniet ndërkombëtare nënkupton kombinimin e pushtetit të fortë (hard power) dhe atij të butë (soft power). Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare e ka përkufizuar atë si “qasje që thekson domosdoshmërinë e ushtrisë së fortë, por që ndërkohë investon në aleanca, partneritete dhe institucione të të gjitha niveleve për të përhapur ndikimin amerikan dhe për të vënë themele për aksion(e) amerikan(e)”.

Dhe biseda vazhdon lidhur me atë se si ai mendon ta aplikojë këtë sintagmë në rastin e Kosovës, krahasuar me shtete të tjera të vogla, metodologjinë që mendon ta përdorë. Ndërkohë rrëfen për keqkuptimine këtij termi tek elitarët tanë. Është një libër që merret me ndërtimin e shtetit kosovar, Enver Hoxhaj,  Ngritja e një Shteti: Politika e Jashtme e Kosovës”,  Botimet Dudaj, Tiranë, 2016, dhe me këtë çështje – i them. Po, madje edhe një recension lidhur me të, Shpend Kursani, “Si të mos mendohet për ndërtimine një shteti”  (http://prishtinainsight.com/not-think-building-state-mag/), – thotë ai –  ku autori kritikon minsitrin e punëve të jashtme për përdorimin e gabuar të prodduktit shlencor të Nye, pushteti inteligjent. Hoxhaj në veprën e vet thekson se Kosova po e përdor këtë lloj të pushtetit për të realizuar interesat e veta. Pyetja që shtrohet, thotë Fatmiri, është se si do ta shfrytëzojë këtë vegël Kosova kur nuk ka agjentin e fuqisë së fortë, ushtrinë e as, siç thotë Kursani, shërbime inteligjente që veprojnë jashtë. Me sa duket ministri, pushtetin inteligjent që është ndërthurje apo sintezë e pushtetit të fortë dhe atij të fortë, e kupton si “veprim me urtësi, apo me inteligjencë, me mendjehollësi”, që paraqet një keqinterpretim të konceptit të Nye. Është një fakt çuditës se si ka mundësi që recensentët të mos e kishin parë këtë gabim kardinal në të kuptuarit e terminologjisë së fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare. Minimumi pozitiv që mund të nxirret nga Hoxhaj është fakti që e ka hapur për diskutim një term të tillë relevant lidhur me kontekstin kosovar. Dijetari edhe kur gabon ka një shpërblim, kur ia qëllon dy.

Biseda jonë shoqëruar, vazhdoi edhe në tema “më pak inteligjente”, të përditshmërisë tonë, jashtë petkut të shkollarizmit, politikë ditore, pak Maqedoni, pak Kosovë, kriza në Shqipëri… Njerëzve të vlefshëm iu hapen dyert gjithandej, nëse jo në vendlindje, jashtë, atje ku çmohet truri efektiv, kapacitetet intelektuale. Fatmirit i dëshiruam aprovim të propozim-disertacionit dhe prurje orgjiinale për politologjinë dhe diplomacinë shqiptare, dalje jashtë dhe kthim të sërishëm për t’i kontribuar vendit dhe dijes shqiptare. Ndërkohë ne mbetemi të ëndërrojmë sundimin e arsitokracisë, sundimin e më të mirëve, që do t’i vendosin figurat e shahut social atje ku duhet, dhe t’i lëvizin sipas rregullave, jo siç ndodh aktualisht, kur formë e qeverisjes është oligarkia, sundim i pakicës, dhe timokratia, formë e shtetit ku ndiim vendimtar kanë ushtarët ambiciozë dhe të fuqishëm, të cilët famën e kanë arritur në luftë, ku kanë arritur prona dhe kështu janë bërë të fuqishëm dhe me ndikim. Sipas Foucault-së, intelektualët janë njerëz që i pajisin njerëzit e tjerë më korniza për kuptim, interpretim dhe ndërveprim me botën. Ç’klasë inteligjencie kemi dhe sa ajo punon me njerëzit e tjerë, është një çështje tjetër për diskutim.

Të kënaq fakti kur ke miq me të cilët mund të çlirohesh nga stresi dhe lëvozhga e elitarizmit të vetëngritur deri në mjegulla dhe mund të kalosh kohën pa i hedhur sy orës së dorës, kur bashkëbisedon me një njeri, që siç thotë S. Pireva, “s’e do poshtërimin, ruan dinjitetin, s’e ndërron moralin me pushtetin”, që s’pajtohet me “një shkollë tjetër: ta shkelë me këmbë atë që shkruan në letër!” Fazliut, për momentin ia kanë cenuar profesinalitetin, por ndershmëria dhe zelli për punë ia kanë mbrojtur etikën dhe dinjitetin!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button