Konica dhe Montenji – krijues që bënë epoka

Faik Konica jetoi në kohën kur Shqipëria dremitej gjysëm e vdekur nën pushtetin e varfërisë, injorancës dhe prapambetjes. Shi për këtë, Ai u përpoq t’i zhbëjë shekujt e humbur në djerrinën aziatike dhe të gjejë udhën për ta rikthyer Atdheun në gjirin e mëmës biologjike të tij, në gjirin e Evropës. Këtë ia mundësoi erudicioni dhe guximi intelektual për të hapur temat tabu e për të sfiduar iletet e panumërta që kishin përthekuar qenien tonë dhe e kishin bërë të pandjeshme ndaj asaj që i gatuhej prej të tjerëve.

Formimi në qendrat e mëdha kulturore evro-amerikane la gjurmë të dukshme te poligrafi ynë, krijimtaria e të cilit ka shtresa të pambarimta ndikimesh të ndërdijshme nga librat e klasikëve të kohërave dhe kulturave të ndryshme, si puna e veprës së mendimtarit tipik të renesansës, skeptikut që tallte institucionet shtetërore e kishtare dhe antivlerat letrare e shkencore, prozatorit dhe eseistit të shquar frëng , që shkruajti edhe për SkënderbeunMishel Montenjit.

Ngjashmëritë e mëdha ndërmjet biografive, preokupimeve dhe tipareve të veprave të Konicës dhe të Montenjit janë befasuese. Montenji erdhi në jetë në një kohë me plot luftëra e skizma racore e religjioze. Ai qe krijues atipik, letrar me personalitet të veçantë, me natyrë të pakënaqur dhe me tipare të pakategorizueshme. Qe ambasador e prefekt i Bordeauxit dhe synoi pavarësinë e veprimit politik. Eseja qe petku që i shkonte shpirtit të Montenjit, i cili shkroi me jetën e tij për kulturën perëndimore. Ajo përbën shtyllën e rilindjes evropiane dhe ushtroi ndikim të dukshëm në filozofi e në letërsi. Sprovat e tij e kanë ruajtur freskinë dhe vazhdojnë të lexohen akoma. Ato janë kundër dhunës e robërisë dhe përshkohen me nota të theksuara mosbesimi në realitetin ekzistues, duke qenë se Montenjin e shoqëroi gjatë gjithë jetës fryma e dyshimit, që, për shumëkë, përbën njërin prej tipareve kyçe të një intelektuali të kompletuar. Zhanri i ri i esesë ia jepte ndjenjën e lirisë dhe të veprimit, sepse atij i pëlqente të shkruajë jashtë skemave dhe rregullave. Esetë e tij të letrarizuara dilnin dukshëm nga kornizat e sistemeve letraro-filozofike. I ndikuar nga Plutarku, Erazmo e Makiaveli…, Montenji shkroi dhe ese epistolare – do si dialogë me vetveten. Ai la pas vetes një vepër të hapur, si gjithë letrarët e mëdhenj të kohëve moderne që lexuesin e konceptojnë si bashkautorë. Qe lexues pasionant i teksteve të vjetra që i shërbenin si pikëmbështetje të përvojave personale. Përçmonte portretet statike dhe i dorëzohej procesit të ndryshimit të vazhdueshëm. Për nga kujdesi për format qe klasicist tipik. Esetë e Montenjit patën jehonë në gjithë Evropën, veçmas në shekujt XVIII e XIX.

I këtillë ishte Montenji, i ngjashëm me Faik Konicën si dy pika uji të një lumi të vetëm, sepse edhe poligrafi ynë erdhi në jetë në botën e përçarë shqiptare në aspektin krahinor e religjioz; edhe Ai qe krijues atipik – i veçantë në letërsi dhe në filozofinë e tij politike; edhe Ai e pati esenë petk shpirti dhe shkroi me jetën e tij për kulturën shqiptare e evropiane; edhe Ai qe letrar dhe personalitet i veçantë, me natyrë të pakënaqur e me tipare të pakategorizueshme, lexues pasionant i teksteve të vjetra, krijues eseshë të letrarizuara dhe jashtë çdo kornize e skeme ekzistuese, që edhe sot janë paradoksalisht të freskëta dhe përbëjnë esencën e letërsisë së Rilindjes shqiptare; edhe Ai kultivoi gjuhën që u përgjigjej nuancave të mendimeve të tij dhe la një vepër të hapur letrare që përshkohet gjithashtu nga notat e theksuara të skepticizmit dhe mosbesimit në realitetin ekzistues; edhe Konica qe ambasador që preferoi pavarësinë e veprimit politik dhe ishte kundër dhunës e robërisë, edhe Konica ishte i dyshimtë si Montenji dhe nuk i besonte kujt kur ishte në pyetje Shqipëria.

Përveç koincidencave që i bëjnë të ngjashëm dy krijuesit, të cilët i ndajnë gati 5 shekuj të plotë e që patën madje dhe jetëgjatësi të njëjtë (Konica jetoi 62, kurse Montenji 59 vjet), njohësve të tyre nuk ka mundur t’u shpëtojë as e dhëna se veprat e tyre u bënë bazamente mbi të cilat u ngrit letërsia moderne: ajo evropiane e nxitur nga Montenji dhe ajo shqiptare e nxitur nga Konica. Që të dy jetuan në kohëra kur mendimi për fenonemet dhe dukuritë e ndryshme duhej thënë pa ekuivoke dhe kur fryma kritike ishte e vetmja armë që mund të largonte mjegullnajat e kultivuara me sistem në mendjet e masave të gjera popullore, lehtësisht të manipulueshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button