Poezia si pranverë e shpirtit

Poezia është “pranvera e shpirtit”.

Është lulja e së keqes, ushqyer nga nektari dhe ambrozi i gjuhës. Është zëri që vjen nga thellësia e kohës dhe jehon në kohën që s’ka ardhur. Është e adhuruara pa interes, nëse i referohemi botëshikimit kantian. Është, sikurse thotë një poet, fryma që triumfon mbi shpatën.

Poeti është ëndërrimtari që flet me gjuhën e harruar. Fjalët e tij janë prej fryme. Gënjeshtrat e tij shpalojnë të vërtetat më të trishta. Zogjtë e tij fluturojnë në qiellin e së nesërmes.

Sipas Emil Sjoranit poezia është edhe “pamundësia për çfarëdo aktualizimi”, ndërkaq poeti, i cili jeton nëpërmjet vdekjes, është “Helderlini i arratisur në Greqinë iluzore”, që “dashurinë e formëson nëpërmjet dehjes dhe irealitetit”, pa mundur që t’i ik vetvetes, obsesioneve dhe ekstazava të tij të pashërueshme.

Poeti, ky ëndërrimtar i papërmirësueshëm, ka besuar edhe se mund ta ndryshojë botën. Por, zakonisht, është zhgënjyer sa herë e ka braktisur botën e estetikes dhe ka marrë misione etike apo politike. Ka përjetuar fatin e Don Kishotit. Kalorësi i arratisur është i shituar nga estetika. Estetika pastaj e shpie tek etikja. Si lexues ai është në dimensionet e estetikes. Si njeri veprimi e braktis estetiken dhe synon që ta ndreq botën. Në këtë mision shoqëror ai është humbësi. Kur kthjellet e ka pranë vdekjen.

Hyu i sajoi poetët që ta shijojnë dhe t’i flasin qiellit. Këtë na e thotë edhe Sharl Bodleri.

Armët e poetit janë fjalët. Veprat e tij janë sajuar nga shpikja më e madhe e njeriut – gjuha. Nëpërmjet gjuhës ai depërton në zonat më të thella dhe më të errëta të shpirtit njerëzor.

Poeti është krahasuar me albatrosin. Është mahnitës kur fluturon në qiellin prej ëndrre dhe, në shumicën e rasteve, një naiv kur vepron në botën e interesave të mëdha, që prodhojnë konflikte të mëdha.

Bota e ëndrrave të tij, ajo botë e thellë, është në përplasje me botën e egër. Nuk pranohet ose refuzohet nga bota e trishtë e sipërfaqësore.

Poetët edhe janë keqkuptuar e përçmuar. Dhe bota, sikurse thotë Saramago, “përherë i ka pritur me përçmim”.

Por edhe poetët i kanë përçmuar përçmuesit e tyre. Kanë folur sikurse foli Mateu: “Mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t’ju shqyejnë”.

A e ndryshon letërsia botën? Dostojevski, që kërkonte një dhembje për të dhënë një kryevepër, tha se “letërsia nuk e ndryshon botën, por atë e bën më të bukur”.

Botën e bëjnë më të bukur ata që kanë vetëdije estetike. Ky është privilegj i një pakice, të cilët, mjerisht, shpesh i ka fshikulluar fati i keq. Janë goditur nga tiranët që tentuan t’i jepnin letërsisë vetëm “mision shoqëror”. Këta ishin armiqtë më të mëdhenj të letërsisë. E shndërruan letërsinë në skemë, në propagandë. Danilo Kishi e porosiste shkrimtarin e ri që të ishte mosbesues ndaj “trenave të historisë”.

Nëse letërsinë e nxjerrim përtej dimensioneve të estetikes apo artistikes, ajo vdes.

Letërsia nuk është etikë, ideologji, filozofi apo pedagogji.

Bota e letërsisë është planeti TLNU për të cilin flet Borhesi, njëri ndër lexuesit më të mirë të të gjithë kohërave. Minotauri i tij nuk del nga labirinti, sepse nuk mund të gjendet në kaosin e kësaj bote. I ngjashëm është Borhesi, që e kaloi jetën në prani të librave, duke e gjetur sigurinë në bibliotekë, ku “peshën e librave e ndjen në mënyrë fizike”. Biblioteka për të është vetë parajsa, kurse libri është instrumenti më mahnitës i njeriut. Libri është asgjë nëse nuk hapet, por “kur e lexojmë, atëherë ndodh çudia: nis dhe ndryshon vazhdimisht, sepse lexuesi e pasuron librin”.

Relacionin krijues – lexues e shpreh nëpërmjet Berklyt: “Shija e mollës nuk është as te molla, as te buza e njeriut që e han. Shija lind nga prekja e ndërsjellë”.

Për këtë autor letërsia është ëndërr, palimpsest i papërfunduar, që lind si nxitje nga veprat tjera dhe si përgjigje ndaj tyre. Letërsia është mospajtim i realitetit dhe irealitetit. Ky mospajtim shndërrohet në “sistem të pafundëm pasqyrash, ku njëri iluzion e zëvendëson tjetrin, prej një ëndrre buron ëndrra tjetër, në një shfaqje luhet shfaqja tjetër”.

Letërsia është realitet simbolik, i përfytyruar, i mundshëm, alternativ që komunikon me kohëra të ndryshme për sa kohë, sikurse thoshte Alen Boske, vetëdija e poetit takohet diku me vetëdijen e lexuesit. Mbase edhe më shumë se sa kaq: pavetëdija e poetit takohet me pavetëdijen e lexuesit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button