BARBARA

Kujtoje, Barbara
Atë ditë mbi Brest shiu binte litar
dhe ti ecje buzagaz, e lumtur
trëndafil me vesë, e qullur
nga shiu
Kujtoje, Barbara
Atë ditë mbi Brest shiu binte litar
dhe unë të takova në rrugën e Siamit
ti buzëqeshje
dhe unë buzëqeshja si ti
Kujtoje, Barbara
unë nuk të njihja
ti nuk më njihje
Kujtoje
sidoqoftë kujtoje atë ditë
mos harro
në strehën e një hajati rrinte një njeri
dhe në emer të thirri
Barbara
e ti rende drejt tij nëpër shi
e qullur, trëndafil me vesë
dhe ti iu hodhe në qafë
Kujtoje këtë, Barbara
dhe mos më ki zët që me ti po të flas
unë u flas me ti atyre që i dua
edhe kur veç njëherë i kam parë
u flas me ti gjithë atyre që duhen
edhe kur nuk i njoh fare
Kujtoje, Barbara
mos e harro, pra
atë shi të shtruar e të lumtur
mbi fytyrën tënde të lumtur
mbi atë qytet të lumtur
Mos e harro atë shi mbi det
mbi kantier
mbi anijen Uesan
Ah, Barbara
kjo luftë qe një marrëzi
ç’ndodhi me ty pra
në këtë shi
hekurri e zjarri, çeliku e gjaku
dhe ai që të shtrëngonte në krahë
me dashuri
a ka vdekur apo ende është gjallë?
Ah, Barbara
mbi Brest shiu bie litar
ashtu siç binte më parë
por s’është më ai shi e gjithçka u gremis
është një shi i pikëlluar, i përzishëm
nuk është më as stuhia
e hekurit e çelikut e gjakut
Ka vetëm re të hirta
si qen që bien shakull
si qen që zhduken
në ujin që rrjedh mbi Brest
dhe venë të treten larg
Larg, shumë larg Brestit
që është bërë gërmadhë.

Autor: Jacques Prevert

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button