Rama: Ndryshimin e ministrave nuk e bëra nën presion

Tre muaj para zgjedhjeve, kryeministri shqiptar Edi Rama vendosi ndryshimin e kabinetit qeveritar jo me një, por me katër ministra. Të gjithë janë ministra të Partisë Socialiste, 2 prej të cilëve me postet më delikate në qeveri, Saimir Tahiri ministër i Brendshëm dhe Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë. Dy te larguarit e tjerë janë Blendi Klosi i Mirëqenies Sociale dhe Bledi Çuçi i Ministrisë Antikorrupsion.

Siç transmeton TCH, me shpjegimin që dha, kryeministri Rama tentoi të shuajë zërat për konflikt brenda maxhorancës apo se ndryshimet erdhën si rezultatet i protestës së opozitës.

“Ndryshimet nuk reflektojnë asgjë tjetër përveçse domosdoshmërinë që udhëheqësit tanë politikë të fushatës së qershorit të fokusohen dhe të furnizohen me energji të reja në përballimin e volumit të jashtëzakonshëm të kontakteve me njerëzit që kërkon kjo fushatë”, tha Rama.

Katër ministrat e larguar, njësoj si pesë të tjerët që nuk preken nga ky vendim i kryeministrit, drejtojnë pesë qarqe të vendit.

Saimir Tahiri, Tiranën që nxjerr 34 deputete, ndërsa Klosi, Beqaj dhe Çuçi drejtojnë Beratin, Kukësin, Dibrën dhe Gjirokastrën, që nxjerrin gjithsej 21 deputetë.

Rama kishte për secilin prej tyre nga një lavdërim të veçante, por pa dhënë më shumë shpjegime për vendimin e largimit nga detyra të një ministri kampion, siç e quajti Rama, Saimir Tahirin.

Deri tani kryeministri Rama nuk ka diskutuar me forumet politike se kush do të zëvendësojë katër ministrat e larguar. Sot pritet të mblidhet kryesia e Partisë Socialiste.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button