Zekiri: Votat e shqiptarëve në LSDM rezultuan me platformën shqiptare

Zgjedhjet parlamentare të parakohshme të 11 dhjetorit në Maqedoni që kishin për qëllim zgjidhjen e krizës politike të këtij vendi, thelluan edhe më shumë këtë krizë duke e transferuar në krizë institucionale. Shkak i thellimit të kësaj krize është vonesa e formimit të qeverisë së re të cilën pas dështimit të liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, presidenti Gjorgje Ivanov refuzoi të mandatojë liderin e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, duke u arsyetuar se “nuk do të mandatojë çdo kë që negocion për platforma të vendeve të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënohet shteti unitar, sovraniteti dhe pavarësia e saj”.

Ndërkohë, ditëve të fundit mijëra qytetarë maqedonas marshojnë rrugëve të Shkupit kundër platformës shqiptare që u arrit pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit nga subjektet politike shqiptare në Maqedoni përmes së cilës liderët shqiptar zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e Maqedonisë nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të. Një ndër kërkesat kyçe të protestuesve është refuzimi i Ligjit të dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë, sepse sipas tyre, përdorimi i gjuhës shqipe në mbarë territorin do të çojë vendin drejt ridefinimit.

Deputeti shqiptar nga radhët e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM) dhe ish-gazetar, Muhamet Zekiri, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) thotë se do të ishte më e ndershme sikur ajo platformë shqiptare të ishte bërë para fillimit të fushatës zgjedhore.

“Unë mendoj se kjo është produkt i panikut dhe frikës së partive shqiptare kur panë se elektorati shqiptar më nuk mund dikush ta kontrolloj ashtu siç ka menduar se mund ta kontrollojë. Votat e shumta që erdhën në LSDM e ngritën alarmin tek subjektet politike shqiptare dhe për të demonstruar se tani po unifikohet spektri politik shqiptar, ata vendosën ta bëjnë këtë platformë”, deklaron Zekiri për AA.

Zekiri thotë se në platformën shqiptare nuk ka asgjë kundër Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, mirëpo në programet e subjekteve politike shqiptare me anë të të cilave kanë garuar para elektoratit, janë pothuajse të gjitha pikat e platformës shqiptare. Sipas tij, kërkesat në platformë partitë politike shqiptare i kanë artikuluar përmes subjekteve të tyre politike dhe nuk janë diçka e re që opinioni në Maqedoni nuk ka njohuri.

Zekiri nuk sheh asgjë të keqe në këtë platformë, por thekson se VMRO-DPMNE e shfrytëzoi këtë platformë për të bërë propagandë dhe për të pasur alibi se po thyhet karakteri unitar i Maqedonisë me këtë platformë, sepse është nënshkruar në një shtet fqinj dhe nuk është produkt i brendshëm, gjë e cila për Zekirin nuk është e vërtetë.

“Nëse dikush e garanton karakterin unitar të Maqedonisë dhe kujdeset për të mirën e Maqedonisë, janë pikërisht shqiptarët si komunitet i dytë këtu në Maqedoni”, shprehet Zekiri.

Pika për të dënuar gjenocidin në Maqedoni, nuk e ka pasur vendin në platformë

Siç thotë Zekiri e vetmja gjë që nuk është pjesë e programeve të subjekteve politike është Miratimi i një Rezolute në Kuvendin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën pas Pavarësisë së Shqipërisë (1912-1956).

“Ajo pikë ndoshta nuk e ka pasur vendin aty. Maqedonia nuk ka qenë shtet në kohën kur kërkohet që Maqedonia ta dënoj atë gjenocid. E dimë se kanë vuajtur shumë popuj, të gjithë që kanë jetuar në këtë territor. Është punë kjo që duhet t’ua lëmë historianëve dhe të shohim se a ka nevojë apo nuk ka nevojë për një rezolutë të tillë. Maqedonia ka probleme shumë më të mëdha dhe esenciale me të cilat duhet të ballafaqohet se sa të merret me rezolutë, e cila mund të shkaktojë probleme me vendet fqinje”, deklaron Zekiri për AA.

Ai shton se Maqedonia prioritare e ka kthimin e drejtësisë dhe përmbushjen e kushteve që kërkohen nga Bashkimi Evropian dhe NATO, sepse Maqedonia sipas tij, e ka vendin në familjen evropiane dhe askund tjetër.

Projektligji për përdorimin e gjuhëve do të vlejë për të gjitha pakicat etnike

Në lidhje me paralajmërimet e kreut të LSDM-së për një projektligj të ri mbi zbatimin e gjuhëve të bashkësive etnike me mbi 20 përqind të popullsisë, Zekiri sqaron se ky projektligj nuk do të vlejë vetëm për shqiptarët, por edhe për të gjitha bashkësitë tjera etnike që përfaqësojnë mbi 20 përqind të popullsisë.

“Ka komuna ku gjuhë zyrtare është edhe gjuha e komuniteteve tjera. Kemi Gostivarin ku gjuhë zyrtare është edhe gjuha turke. Në Kumanovë gjuhë zyrtare janë katër gjuhë, është ajo maqedonase, shqipe, serbja dhe më duket edhe ajo turke. Funksionojnë komunat e tilla. Ligji i ri që do të sjellet, i cili ende nuk është përpiluar, detajet do të dihen pasi të fillojë të funksionojë Parlamenti”, shprehet Zekiri.

Zekiri në vijim thotë se gjithçka që do të propozohet do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe nuk do të dal nga ato korniza. Ai foli edhe për debatin në lidhje me dygjuhësinë në uniformat e policisë dhe ushtrisë dhe në banknotat e vendit, duke theksuar se kjo u takon ekspertëve të cilët do të tregojnë se a është komform Kushtetutës.

“Nuk është puna që ne të propozojmë diçka dhe të votojmë diçka anti-kushtetuese, nëse është anti-kushtetuese, dhe pastaj të bie në Gjykatë Kushtetuese. Puna është të jetë ligj funksional dhe të jetë për të mirën e qytetarëve, pasi që edhe partnerët tanë të koalicionit e kanë përsëritur se kërkesat e tyre do të jenë komform Kushtetutës aktuale të Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Zekiri për AA.

E vërteta për ngjarjet e “Sopotit”, “Monstrës” dhe “Kumanovës”, “Neshkovskit”, “Mlladenov” doemos të dalin në sipërfaqe

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, duke prezantuar “Propozim Programin e Qeverisë” në selinë e partisë, paralajmëroi zbardhjen e ngjarjeve të Kumanovës, si dhe të rasteve “Monstra” dhe “Sopoti”, “Neshkovski dhe “Mlladenov”, duke deklaruar se do të kërkojnë edhe mbështetje ndërkombëtare për hetimin.

Në këtë kontekst Zekiri thekson se prioritet për qytetarët e Maqedonisë është sundimi i së drejtës.

“Kjo doemos të ndodh, kjo është një nga prioritetet tona. Prioritare për qytetarët e Maqedonisë është sundimi i së drejtës. Këto janë raste që janë përmendur dhe të cilat përmenden në programin tonë dhe të cilat janë shfrytëzuar për nxitjen e tensioneve ndëretnike, e që për fat të keq pati edhe viktima në njerëz të pafajshëm. Ngjarjet e Kumanovës janë paksa më të komplikuara, prandaj do të kërkojmë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare e cila duhet të na ndihmojë për të zbardhur këtë rast. Mund të zbardhet, ka mjaft dëshmi për të parë se kush qëndron prapa kësaj ngjarje dhe për çfarë qëllimesh është bërë”, thekson Zekiri duke shtuar se e vërteta duhet të mësohet për të mirën e të gjithë qytetarëve.

Ai në prononcimin e tij më tej tha se “Nuk guxon asnjë qytetar i pafajshëm i Maqedonisë të qëndrojë në burg”, duke shtuar se për të gjitha rastet marrin detyrim t’i zbardhin deri në fund.

Do të jem kritikuesi më i madh i partisë, nëse nuk u përmbahemi premtimeve

Si politikanë të rinj në politikën e Maqedonisë, thotë deputeti i LSDM-së për AA, nuk janë futur që të përsërisin gabimet e politikanëve më të hershëm, por janë futur se mundet politika të ushtrohet edhe ndryshe, duke mbajtur fjalën dhe duke realizuar atë që premtohet.

“Në momentin nëse shoh se dikush tenton të devijojë nga programi jonë dhe nga ajo që ne e kemi përfaqësuar para elektoratit gjatë fushatës, sigurisht që unë nuk do të hesht dhe do të ngre zërin siç kam ngritur edhe para se të jem në politikë. Duke qenë këtu nuk do të thotë jam pjesë e një subjekti politik dhe nëse shoh se aty brenda dikush devijon dhe bën gabim se unë do të heshti. Unë do ta ngre zërin dhe do të jem kritikuesi më i madh brenda partisë nëse ne nuk i përmbahemi asaj që i kemi premtuar qytetarëve tanë”, deklaron Zekiri.

Sipas Zekirit, Zoran Zaev dhe LSDM-ja si subjekt politik nuk do të heq dorë nga sigurimi i të drejtave të bashkësive etnike pakicë në Maqedoni dhe në përgjithësi të qytetarëve të Maqedonisë. Ai shton se koncepti i barazisë së plotë i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë është e ardhmja e këtij vendi, ndërsa çdo gjë tjetër është dështim për qytetarët dhe politikën e vendit.

“Zoran Zaev është i vendosur dhe këmbëngulës që këtë ta realizojë. Të gjithë atë që e kemi premtuar gjatë zgjedhjeve ne do ta bëjmë. U prezantua edhe programi i ri i qeverisë së ardhshme dhe aty janë të gjitha punët dhe aspektet që i kemi premtuar gjatë fushatës zgjedhore që kanë qenë pjesë e programit. Këtë ne do ta realizojmë dhe do të qëndrojmë pas asaj që e kemi para qytetarëve”, shprehet Zekiri.

Zekiri thotë se Maqedonia do të jetë një shtet i të gjithë qytetarëve, koncept të cilin e beson ai dhe për të cilin thekson se LSDM-ja garoi në zgjedhjet e fundit që të gjithë qytetarët dhe bashkësitë etnike t’i gëzojnë të drejtat e barabarta në vend. Ai theksoi se qëndrimet të cilat i merr LSDM-ja janë të njëzëshëm dhe brenda në parti nuk ka zëra kundër kësaj politike që udhëheq ky subjekt politik në krye me liderin Zoran Zaev.

Maqedonia vetëm me Shqipërinë dhe Kosovën nuk ka çështje të hapura

Zekiri beson se vetëm duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore mund të ndërtohet një e ardhme e ndritshme dhe një perspektivë më e mirë. Ai shton se nuk është mirë për asnjë vend të Ballkanit, nëse ka grindje, por gjithmonë, sipas tij duhet të “trajtohemi si miq në mënyrë të ndërsjellë”. “Me kokëfortësi nuk do të arrijmë askund dhe ajo nuk është politikë e mirë”, shprehet ai.

Sipas tij, në kohë turbulente është normale që të paraqiten individë për të provokuar, por siç thekson ai, ndoshta është më mirë të injorohen këta politikanë, sipas tij, të papërgjegjshëm nga vendet fqinje “që dëshirojnë qëllimisht të provokojnë debate apo të hapin diskutime mes vendeve.”

“Fqinjët duhet t’i trajtojmë si miqtë tanë më të mirë. Nëse dikujt i ndodh diçka e keqe, së pari duhet të ndihmojnë fqinjët dhe ne duhet të punojmë këtu për t’i qetësuar ato marrëdhënie. Mënyra se si t’i relaksojmë është që mos të provokojmë njëri-tjetrin. Ne e dimë se Maqedonia ka probleme të jashtëzakonshme me pothuajse të gjithë fqinjët e saj. Të vetmet vende me të cilat Maqedonia nuk ka çështje të hapura janë Shqipëria dhe Kosova”, thotë Zekiri.

Turqia është një nga vendet më miqësore të Maqedonisë

Republikën e Turqisë, Zekiri e sheh se si një nga vendet më miqësore të Maqedonisë, si dhe konsideron se marrëdhëniet me këtë vend duhet edhe më shumë të thellohen dhe të përmirësohen.

“Turqia është një nga vendet më miqësore të Maqedonisë. Ky vend është partner strategjik i Maqedonisë dhe marrëdhëniet vetëm të thellohen, edhe në planin ekonomik, edhe në atë diplomatik, por edhe në atë miqësor. Ne këto marrëdhënie do t’i nxisim dhe do t’i përmirësojmë, kjo është edhe në interes të qytetarëve tanë. Ne e dimë se sa emigrantë ka në Turqi dhe sa turistë kemi ne nga Turqia. Këta marrëdhënie duhet të ushqehen dhe të përmirësohen”, deklaron Zekiri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button