Thaçi: SHBA-ja nuk e vë në pikëpyetje themelimin e ushtrisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke iu përgjigjur Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Kosova po bën veprime të njëanshme, ka deklaruar se kjo nuk qëndron, pasi për tri vite me radhë janë munduar ta koordinojnë këtë veprim me deputetët e komunitetit serbë, por ata e kanë bërë të qartë se nuk do ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, pasi marrin urdhra të drejtpërdrejt nga Serbia. Dhe sipas tij, nëse dikush mendon që duhet të koordinohemi me Serbinë, kjo gjë ka përfunduar dhe fati i Kosovës nuk do të mbetet peng i Serbisë.

Ai tha se këtë nismë ligjore e ka marr në koordinim me institucionet e vendit dhe sipas tij ky ndryshim në misionin dhe detyrat e reja që do t’i marrë, e bëjnë FSK-në në forcë moderne multietnike.

Kreu i shtetit të Kosovës shtoi se është i bindur që edhe Qeveria e Kosovës do ta trajtojë draftligjin në periudhën ligjore dhe të japë qëndrimin në mbështetje të tij. Thaçi tha se në këtë periudhë i gjithë spektri politik dhe shoqëria civile, duhet të jenë të bashkuara për ta përmbyllur këtë mision. Ai tha se ashtu siç ka pritur ky projektligj, ka unifikuar skenën politike.

Presidenti theksoi Kosova nuk po bënë asnjë veprim të njëanshëm, antiligjor, dhe shtoi se Kosova po bënë një akt ligjor kushtetues që është themel i çdo shteti, kanë vendosur t’i japin FSK-së detyrat e një ushtrie moderne e shumetnike, që do ta mbrojë sovranitetin e shtetit.

Ai pohoi se këtë akt nuk e ka kundërshtuar NATO-ja, por vetëm një shtet, e ai është Serbia, raporton KosovaPress.

Thaçi tha se aktualisht i vetmi kërcënim për paqen në rajon është terrori i Rusisë dhe bazat ushtarake të Rusisë në Serbi dhe shtoi se pret nga NATO-ja për këto rreziqe konkrete, e mos te shqetësohet për FSK-në, sepse është trajnuar nga NATO.

Ai tha se vërejtja kryesore e sekretarit të NATO-s, është se konsideron ligjore, por është e njëanshme. Ai tha se kjo nuk është e vërtetë dhe njoftoi se ka biseduar me kryeministrin serb për t’ia thënë atij, se FSK-ja me mandatin e ardhshëm nuk do të jetë kërcënim për askënd.

Ai tha se ka dëgjuar këshillat e SHBA-së dhe se përkundër shqetësimeve, SHBA nuk e vë në pikëpyetje themelimin e ushtrisë. Thaçi tha se ata e kanë mbështetur këtë proces, por duan nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Thaçi tha se nga viti 2014 kur është bërë rishikimi i sektorit të sigurisë, nuk është ndalur se punuari për themelimin e ushtrisë dhe të gjitha komunitetet ishin njëzëri, por që kjo u pamundësua nga brenda.

Ai tha se nëse NATO dhe shtetet e QUINT-it do t’i bindnin deputetët serbë për votimin e ndryshimeve kushtetuese, ata do të ishin të lumtur që kjo të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Por ai tha se askush nuk ka mundur të garantojë asnjë votë për ndryshime kushtetuese. Sipas tij NATO-ja dhe partnerët ndërkombëtar duhet ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces, e jo ta ndëshkojnë Kosovën, vetëm pse s’po pajtohet Serbia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button