Boritë e përditshmërisë politike

Në skenën e trishtë të përditshmërisë politike janë shfaqur “artistët”. Janë bërë pjesë e turmës, e cila nuk është çerdhja e artistit. Ka diçka të dyshimtë te artisti që fshehet në turmë.

Janë shfaqur poetë, që e torturojnë gjuhën. Recitojnë “poezi” pa asnjë vlerë artistike. Një situatë kjo që i shkon poezia e perifrazuar e Agim Vincës, kundër poetit me megafon në dorë, që nuk është më poet, por orator; që nuk flet me rima e metafora, por me pankarta e parulla.

Janë shfaqur edhe aktorë. Aktrojnë sipas regjisë së politikanëve. Flasin me patetikë dhe ngjajnë me personazhet më tragjikomikë të dramaturgjisë botërore.

Janë shfaqur këngëtarë. Tekstet e “këngëve” ua kanë shkruar politikanët. Kiçi politik e ushqen kiçin kulturor.

Janë shfaqur akademikë, që thonë se do ta shpalojnë “Naçertanien” e tyre. Janë raca më albanofobe në këtë shtet. Janë kundër gjuhës shqipe.

Edhe më keq: janë shfaqur klerikë. Ngjajnë si bekuesit e kriminelëve të luftërave në Bosnjë, Kroaci e Kosovë. Flasin kundër gjuhës shqipe. I mbrojnë mëkatarët. Thonë se zyrtarizimi i shqipes ua rrezikon fenë! Gjuhën shqipe e flasin edhe shqiptarët ortodoksë. E ka folur gjuhëpasuruesi Fan Noli. Djalli fshehet më mirë nën petkun atyre që hiqen si të devotshëm.

Të gjithë dirigjohen nga regjimi. Sillen sikur të drejtat e shqiptarëve i kanë trashëguar nga të parët e tyre.

Shumëçka kohëve të fundit ngjan me atë që ndodhi dikur në hapësirat e Jugosllavisë së dikurshme.

Turma, si përherë, është e frikshme. Po çka lypin aty ata që i thonë vetes “artistë”? Bëjnë atë që ua kërkojnë “mecenat”.

Nesër lehjet nuk do t’u bëjnë nder. Duket se boritë e regjimit, që i thonë vetes artistë, i kanë shkëputur lidhjet me ndershmërinë. Kanë vetëm një mision: t’i shërbejnë regjimit, sikurse i kanë shërbyer përherë.

Ne që i kemi parë skenat e ngjashme dikur dhe që vuajmë nga frika retrospektive, kemi të drejtë të shqetësohemi. E kemi marrë leksionin e historisë. E dimë se çfarë dëmesh morale shkaktojnë boritë e regjimit.

Këtë lojë me zjarrin, fatmirësisht, e kundërshtojnë shumë artistë e intelektualë maqedonas. Me këta mund të mos pajtohemi për shumëçka, por mund të krijohen linja komunikimi, mirëkuptimi e mirëbesimi. Këta e duan Maqedoninë më shumë se sa ata “që e mbrojnë” prej shqiptarëve.

Ka diçka të dyshimtë tek artisti, kleriku a akademiku që fshehet në turmë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button