Peshkopi në protestën e përkrahësve të VMRO-DPMNE-së me thirrje kundër dygjuhësisë dhe ambasadorëve (VIDEO)

Metropolitani i Povardarjes Agatangell, me petkun priftëror mbrëmë ka marrë pjesë në protestën e përkrahësve të VMRO-DPMNE-së, në Veles, ku porositi që të ruhet unitariteti i shtetit dhe “të mos humbet kisha e shenjtë ortodokse”, qëndrime të cilat janë identike me ata të kreut të partisë së Nikolla Gruevskit. Peshkopi kërkoi nga partitë maqedonase që “t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet, ndërkaq ambasadorët e huaj të mos i kryejnë trysni presidentit Gjorge Ivanov”, njofton Portalb.mk.

“Duhet të bëhet regjistrimi i popullsisë që të rinumërohemi dhe kështu do të shohim se ata që kërkojnë dygjuhësi dhe kantonizim nuk janë as 15%. Për atë të nderuarit e mi, të bashkohemi nga ky vend përpara shtatores së Racinit, u bëj thirrje partive më të mëdha maqedonase që të ulen në tryezë të rrumbullakët dhe t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre, nëse duan dhe le të rrihen, por të dalin me qëndrim të qartë se nuk do ta ndajnë Maqedoninë”, tha Agantell.

Në fjalimin e tij, peshkopi u bën thirrje diplomatëve që “të mos përzihen”, ndërkaq maqedonasve që shtetin të mos e shesin.

Sipas Kushtetutës, Maqedonia është shtet sekular. Kjo nënkupton që shteti nuk ka të drejtë të përzihet në punët e religjioneve, por as religjionet nuk kanë të drejtë të përzihen në punët e shtetit.

Neni 19 i Kushtetutës thotë se Kisha Ortodokse Maqedonase, por edhe Bashkësia Fetare Islame, Kisha Katolike, Kisha Evangjelike, Komuniteti Hebre dhe bashkësitë tjera fetare dhe grupe religjioze janë të ndara prej shtetit, ndërkaq të njëjtat janë të barabarta përpara ligjit.

Qëndrimet e peshkopit, janë të njëjtat me thirrjet e VMRO-DPMNE-së kundër dygjuhësisë dhe “mospërzierjes së të huajve”.

Përndryshe, Kreu i Kishës Ortodokse e Maqedonisë nëpërmjet një kumtese, përpara dy javëve dërgoi porosi që të ruhet pozita kushtetuese e gjuhës maqedonase në territorin e Maqedonisë në pajtueshmëri me Kushtetutën, si dhe karakteri unitar i shtetit.

“Të tashmen dhe të ardhmen e Maqedonisë e shohim nëpërmjet ruajtjes së karakterit unitar të Maqedonisë, kurse për këtë është e nevojshme qetësi dhe bashkim nacional. Populli ynë besnik duhet të udhëhiqet edhe nga vlerat evangjelike krishtere. Interesat strategjike të shtetit të Maqedonisë mund të ruhen vetëm nëpërmjet përgjegjësisë personale të secilit prej nesh, që nënkupton jetesë në bazë të urdhrave hyjnore, kujdes i institucioneve shtetërore dhe të drejtat shtetërore të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”, thuhej në kumtesën e kreut të KOM-it.

Sipas kreut të KOM-it, Maqedonisë i duhet regjistrim i popullatës i cili duhet të zbatohet jo për t’i marrë të drejta ndokujt, por për të realizuar përfitime për të gjithë qytetarët. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button