Shqipëria, barrikadon produktet “Made in Kosova”

Edhe ky vit do të jetë mjaftë sfidues. Të priturat për zhvillim ekonomik, nuk janë optimiste. Korrupsioni, burokracia dhe nepotizmi, po pengojnë zhvillimin e bizneseve vendore, e po ashtu dhe investitorët e huaj potencial, që kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovë.

Ndërsa marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, janë brengosëse dhe larg asaj çfarë duhet të jenë. Kështu pohon kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, në një intervistë për KosovaPress, ku flet për gjendjen ekonomike në vend.

Gërxhaliu thotë se Kosovës, i mungojnë politikat qeveritare për zhvillim ekonomik dhe se edhe 15 vite pas luftës, nuk ka një plan nacional zhvillimor, gjë që dëshmon se mungon një qasje serioze për zhvillim ekonomik. “Nuk kemi arsye për një komoditet, sa i përket proceseve ekonomike. Vet fakti që e kemi filluar këtë vit kalendarik me disa probleme, qoftë me dështimin e procesit të privatizimit, qoftë me debate të ashpra anti- biznes në parlament, qoftë me pamje vizuele të rrënimit të objekteve afariste, është diçka që vërtetë e ka dëmtuar dhe dëmton imazhin e Kosovës. Kur krejt kësaj i shtohet edhe fakti që agjenda politike, është e stërngarkuar dhe po hyjmë në një vit kalendarik, që karakterizohet me zgjedhje jo vetëm në Kosovë, por dhe në Maqedoni dhe Serbi dhe në vet KE, besoj që është një vit mjaftë sfidues. Dhe shumë më tepër do të merremi këtë vit me prodhim të politikës ditore, të pa substancë, se sa që do të jemi të orientuar në procese ekonomike dhe gjetjen e modaliteteve për një qëndrueshmëri ekonomike”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, thotë se Kosova nuk ka krijuar ende një mjedis të favorshëm, për tërheqjen e investimeve nga jashtë.

Ai madje thekson se nuk mund të jesh vend atraktiv për investitorë të huaj, në qoftëse nuk je atraktiv për bizneset ekzistuese në vend. “Kur të bëjmë një analizë të thuket, se cilat janë problemet me të cilat ballafaqohen edhe bizneset vendore edhe ato ndërkombëtare, janë përgjigje të qarta. Është korrupsioni, burokracia, nepotizmi, mungesa e kuadrit profesional dhe mbi të gjitha prokurimi publik. Jemi të vetëdijshëm se të gjitha këto probleme me të cilat ballafaqohemi, qoftë në aspektin intern apo ekstrën, kanë vetëm një emërues të përbashkët për zgjidhje, është sundimi i rendit dhe ligjit. Derisa nuk do të kemi sundim të rendit dhe ligjit, është utopike të mendohet ardhja e investitorëve të huaj”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket procesit të privatizimit,Gërxhaliu pohon se duhet kërkohet adresa e dështimit të këtij procesi, e jo gjithmonë të sulmohet komuniteti i biznesit.

I quan demotivuese për sektorin privat vendor dhe për investitorët e huaj, debatet në parlament rreth procesit të privatizimit. “ Ne si OEK shumë mirë e kemi cek, që me format dhe modalitetin e procesit të privatizimit, nuk kemi qenë të kënaqur. Ka qenë vërtetë një bord, ose borde nga Qeveria, që shumë më tepër kanë qenë të ngjyrosura në aspekt politik, se sa në aspekt profesional. Dhe sot jemi këtu ku jemi. Ku të priturat kanë qenë shumë më të mëdha se sa janë realizuar sot”, tha ai.

Brengosëse i quan po ashtu dhe marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Ai thotë se ekziston një mosbesim në relacionin Prishtinë-Tiranë, sa i përket raporteve ekonomike.

Gërxhaliu, ndër të tjera thotë se mungon prezenca e bizneseve të mirëfillta kosovare në Shqipëri, duke kërkuar që të eliminohen procedurat burokratike, të cilat po i pengojnë produktet kosovare, të depërtojnë në tregun atje. “Është koha kur duhet të eliminohen procedurat burokratike. Është koha kur duhet të krijohet diçka e veçantë, për prodhimet apo për kompanitë kosovare në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Kosovë. Dhe jo vetëm se janë prodhime “Made in Kosova” dhe kalojnë përmes pikës kufitare në Morinë, të jenë të barrikaduara. Të jenë të targetuara dhe të qiten kërkesa, të cilat vërtetë dhe vendet më të zhvilluara evropiane, nuk mund t’i realizojnë….. Këto barriera, të cilat janë shumë më tepër në dëm të raporteve se sa në funksion pozitiv, vërtetë duhet të ndërpriten . Sepse derisa ne mes vete bëjmë barriera, të tjerët depërtojnë. Depërton Serbia, depërton Greqia, depërtojnë prodhimet italiane dhe për prodhimet kosovare nuk ka vend”, tha kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu.

Lajme të ngjashme

Back to top button