Ivanov – Han: Është e domosdoshme që sa më shpejt të formohet qeveri

Është e domosdoshme që sa më shpejt të formohet qeveri dhe të tejkalohet kriza politike në Republikën e Maqedonisë, kanë konstatuar në takimin e sotëm presidenti Gjorge Ivanov dhe komisari për politikë fqinjësore evropiane dhe negociata për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johanes Han.

Në takim siç kumtoi Kabineti i Ivanovit, të dy bashkëbiseduesit kanë këmbyer mendime për gjendjen politike aktuale në Republikën e Maqedonisë dhe mundësive që sa më shpejt të zgjidhet kriza politike.

“Tejkalimi i krizës politike është me rëndësi kyçe për Republikën e Maqedonisë që të mundet tërësisht të përkushtohet në reformat evropiane dhe të vazhdojë në realizimin e qëllimeve euroatlantike”, ka theksuar Ivanov.

Në takim është potencuar domosdoshmëria që sa më shpejt të formohet qeveria e Republikës së Maqedonisë, sepse vetëm me institucione plotësisht funksionale shteti do të jetë  i gatshëm të përballet me të gjitha sfidat.

Në kontekst të gjendjes aktuale, presidenti Ivanov ka shfaqur pakënaqësi nga mungesa e dënimit publik të përzierjes në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë nga ana e disa vendeve fqinje.

Eurokomisari Han e ka njoftuar presidentin Ivanov për takimet me liderët e partive politike dhe qëndrimet e shprehura, dhe ka theksuar se qeveria e re duhet të jetë konsekuente në perspektivën evropiane dhe e fokusuar në ardhmërinë evropiane të vendit.

Ivanov edhe një herë ka theksuar se stabiliteti në jetën politike dhe tensionet në marrëdhëniet ndëretnike janë pasojë e gjendjes së stërzgjatur status-kuo në Republikën e Maqedonisë dhe ka kërkuar angazhim dhe mbështetje më aktive nga komisari Han. Komisari Han ka theksuar se ekziston vetëdije e rritur mes shteteve anëtare të BE-së për domosdoshmërinë e zhbllokimit të integrimeve dhe për këtë qëllim nevojitet formim i qeverisë e përkushtuar në integrimet evropiane.

Presidenti i Maqedonisë në takim me Hanin ka theksuar se si deri tani, ashtu edhe në të ardhmen, do të veprojë në suaza të Kushtetutës dhe në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Njëherit, presidenti ka theksuar se pret nga qeveria e re të ketë dy prioritete kyçe: i pari, mbrojtja e interesave shtetërore të Republikës së Maqedonisë, që nënkupton ruajtjen dhe përforcimin e karakterit unitar të shtetit. I dyti, reforma sistematike pas krizës në të cilën do të përfshihen subjektet e sistemit për siguri kombëtare të Republikës së Maqedonisë, thuhet në kumtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button