Qeveria e Kosovës pret javën e ardhshme kthimin e Listës Serbe në institucione

Pa kthimin e serbëve në institucione, Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë asnjë hap për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

Kështu thotë zëvendësministri i Pushtetit Lokal të Kosovës, Bajram Gecaj, duke shtuar se kryeministri pret që serbët të kthehen këtë javë në institucione.

“Nuk mund të kemi ne bisedime konstruktive në lidhje me themelimin e Asociacionit nëse Lista Serbe e ka ngri funksionin e vetë. Ata së pari duhet të kthehen në institucione, ne duhet të ulemi se është e paraparë që statutin e Asociacionit ta përpunojë grupi menaxhues prej katër serbëve në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, OSBE-në dhe Bashkimin Evropian. Pra ne duhet të themelojmë një grup punues, i cili fillon punën dhe pasi të kemi një dokument ai dokument sipas të gjitha gjasave do të diskutohet edhe në Bruksel”, tha Gecaj për KTV-në.

Ndërkohë, sa u përket kërcënimeve të serbëve se nëse nuk themelohet Asociacioni deri më 15 shkurt atëherë kjo do të bëhet njëanshëm nga vetë serbët, Gecaj thotë se kjo është e papranueshme për Qeverinë e Kosovës dhe atëherë do të ishte një institucion paralel.

Derisa kryeministri Isa Mustafa pret që serbet të kthehen këtë javë në institucione, këtë nuk e konfirmojnë vetë serbët.

Ndërsa kryetari Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, po pret që asociacioni të krijohet ashtu siç janë marrë vesh në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button