Sa shpesh duhet bërë dush

Ekzistojnë gjithnjë e më shumë prova që sugjerojnë se dushi i tepërt, me një mori faktorësh të tjerë, ndikon negativisht në mikrobiomin e pranishëm në lëkurën e njeriut, i cili përbëhet nga një grup i baktereve, viruseve dhe mikroorganizmave të tjerë që jetojnë në trupin e njeriut, shkruan koha.net, përcjell Portalb.mk.

Shkencëtarët e dinë se këta mikroorganizma ndikojnë pozitivisht në shëndetin e njeriut, duke përfshirë edhe sistemin imunitar, tretjen, dhe madje edhe funksionin e zemrës. Ata theksojnë se mikrobiomin duhet kuptuar si sistem plotësues dhe paralel të ndërthurur me funksionet e tjera të trupit. Ekzistojnë prova bindëse indirekte të cilat sugjerojnë se dushi i dëmton mikrobiomet e lëkurës, gjë që nga ana tjetër e dëmton shëndetin e lëkurës.

Dihet se dushi apo larja e tepërt me shampo dhe sapun i shkatërron bakteret e pranishme në lëkurë dhe flokë, dhe e zvogëlon nivelin e vajit. Industria kozmetike më pas këto nivele përpiqet t’i kompensojë duke përdorur produkte kozmetike, shkruan Koha Ditore.

Në përgjithësi, mënyra moderne e jetesës, e cila përfshin edhe dushe të shpeshta, ndikon keq në mikrobiomet në lëkurën e njeriut.

Studimi shkencor në banorët e fshatit Yanomami në Amazon, të cilët në kohën e studimit nuk kishin të dokumentuar kontakt të mëparshëm me “perëndimorët”, tregon se lëkura, goja dhe fekalet e të anketuarve ishin shumë më të pasura me baktere, ndërsa bakteret e zbuluara treguan rezistencë ndaj antibiotikëve, pa kontakt të njohur paraprak me antibiotikët.

Një pjesë e problemit rreth qëndrimit përfundimtar të shkencëtarëve është edhe për shkak të formimit të vështirë të një grupi mjaft të madh të të anketuarve, të cilët do të ishin të gatshëm ta anashkalonin dushin për një periudhë të caktuar të nevojshme për të kryer studime të kontrolluara.

Në vend të studimit konkret, të dhënat e publikuara për efektin e dushit në lëkurë përbëheshin kryesisht nga eksperimente të pavarura. Anekdota të tilla mund të përgjigjen në pyetjen më të rëndësishme rreth anashkalimit të dushit – çfarë të bëhet me erën e keqe?

Disa nga bakteret në trup sekretojnë kimikate me erë të keqe, ndërsa larja ose deodoranti e zgjidhin problemin mjaft mirë. Megjithatë, personat të cilët hoqën dorë nga dushi do të thonë se problemi ekziston vetëm për shkak të gjendjes fillestare që është jashtë ekuilibrit.

Shembulli më i spikatur është ndoshta James Hamblin, i cili në qershor të vitit 2016 e publikoi një ese që e shpjegon vendimin për t’u tërhequr gradualisht nga larja e përditshme.

“Në fillim isha një bishë e yndyrshme me erë të keqe”, shkroi ai. “Por më vonë trupi sikur mësohet dhe bëhet më i rehatshëm për hundën e njeriut”.
Hamblin i shkëmbeu përvojat me reporteren Julia Scott, e cila e dokumentoi kalimin e saj në jetën pa dushe për “The New York Times Magazine”. Përvoja e saj ka treguar se vetëm me një dush në javë ajo i kishte dëmtuar plotësisht kolonitë e baktereve në lëkurë.

“Nëse i kam flokët e papastra, atëherë futem nën dush dhe i lag ato, por nuk përdor shampo ose sapun, dhe pothuajse asnjëherë nuk futem në dush… Dhe gjithçka është në rregull. I pyeta miqtë të më tregonin se çfarë ere mbaja, dhe ata pohojnë se mbaj erë të mirë”, thotë Hamblin.

Edhe pse nuk ka asnjë arsye që njerëzit si Hamblin për shkak të dushit të reduktuar të bëhen më të shëndetshëm se personat mesatarë, sigurisht nuk ka arsye të mos jenë të shëndetshëm. Në mos asgjë tjetër, sigurisht që do të kursejnë mjaft kohë, ujë dhe para.

Natyrisht, një mënyrë kaq radikale e jetesës nuk është për të gjithë, ndërsa derisa të mos konfirmohen faktet konkrete të ndikimit të dushit në lëkurë, nuk duhet të kalojmë në ekstreme, përcjell “Business Insider”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button