Trump për financimin e murit habit meksikanët: 20 për qind tatim për importet nga Meksika

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, deklaroi të enjten se presidenti amerikan, Donald Trump ka një plan të ri për financimin e murit në kufi me Meksikën, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Meksikës, Enrique Peno Nieto tha se vendi i tij nuk do të paguajë për ndërtimin e murit në kufi me SHBA-të, për çka Trump u kundërpërgjigj me idenë për të aplikuar një tatim prej 20 për qind për importet nga Meksika në kuadër të reformave tatimore.

Spicer u tha gazetarëve se reforma gjithëpërfshirëse në të cilën Trump planifikon të përfshijë tatimet nga importi, përfshin edhe ato nga Meksika.

“Në këtë mënyrë, në nivel vjetor do të mund të tubojmë 10 miliardë dollarë me të cilat me lehtësi do të mund të paguajmë murin vetëm përmes këtij mekanizmi. Kjo vërtetë do të sigurojë mjetet e duhura”, tha Spicer.

Në bazë të të dhënave zyrtare, në vitin 2015 Meksika ka eksportuar në SHBA mall në vlerë prej 316.4 miliardë dollarë.

Deficiti tregtar është vlerësuar në 50 miliardë dollarë. Zbatimi i tatimit më të lartë do të mund të shkaktojë rritjen e çmimeve të prodhimeve meksikane, ndërkohë që zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë shmangu pyetjet për ndikimin e tatimit të paralajmëruar mbi konsumatorët amerikanë.

Kujtojmë se Trump të mërkurën nënshkroi një dekret me të cilin aprovohet ndërtimi i murit në kufirin e SHBA-ve dhe Meksikës. “Këtë e kemi thënë që nga fillimi”, tha ai teksa nënshkroi dekretin.

Presdenti amerikan më herët deklaroi se do të përmbush premtimet parazgjedhore për ndërtimin e murit me Meksikën.

Gjatë fushatës zgjedhore, ai theksoi se autoritetet meksikane do të mbulojnë shpenzimet për ndërtimin e murit në kufi. Për ndërtimin e murit do të nevojitet aprovimi i Kongresit amerikan, ndërsa shpenzimet e përgjithshme të ndërtimit të tij do të ishin rreth 14 miliardë dollarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button