Shqipëri, vijon dorëzimi i armëve, 29 copë në 24 orët e fundit
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë dorëzuar 29 armë, mbi 2 mijë fishekë dhe 7 granata.
Sipas të dhënave nga burime policore, numri më i madh i rasteve është verifikuar në komisariatin e Divjakës, ku janë dorëzuar 10 armë dhe 200 fishekë, transmeton Top Channel.
Ndërkohë, në komunën Dajç të Shkodrës janë dorëzuar 8 armë dhe 600 fishekë; ndërsa granatat janë dorëzuar në komisariatin e Librazhdit, bashkë me 25 metra fitil shpërthyes.
Dorëzimi më i ulët ka qenë në Dibër, ku qytetarët kanë paraqitur në polici vetëm 2 armë pa leje të siguruara që prej vitit 1997.
Policia e Shtetit vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve që t’i dorëzojnë armët pa leje brenda datës 30 prill.