PD nis bojkotin, braktis miratimin e axhendës në Kuvendit

Debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës kanë shoqëruar mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve. Në qendër të diskutimeve mes palëve kanë qenë sërish amendimet në ligjin “Për nëpunësit civilë”. Opozita ka kundërshtuar këto amendime, ndërsa ka paralajmëruar dhe për një qëndrim të ri ndaj Kuvendit. Argumenti i demokratëve ishte sërish shkarkimi nga Parlamenti i kreut të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka.

Pas këtyre debateve opozita ka bojkotuar mbledhjen pa marrë pjesë në miratimin e kalendarit të punimeve të Kuvendit. Mazhoranca ka vendosur t’i japë kohë shtesë opozitës për ligjin “Për nëpunësin civil” ndërsa ka miratuar kalendarin dhe programin e punës. Sot pritet dhe publikimi në Fletoren Zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Aktit Normativ të Qeverisë për shtyrjen e ligjit “Për nëpunësin civil”. 

Debatet 

Kreu i deputetëve demokratë, Edi Paloka, ka kundërshtuar përfshirjen në kalendarin e punimeve të Kuvendit të ligjit “Për nëpunësin civil”, ndërsa ka ngritur   shqetësimin lidhur me lirimin nga detyra të kryetares së ILDKP-së, duke e cilësuar si një akt antikushtetues. Ai ka kërkuar rikthimin e kushtetutshmërisë në parlament, rikthimin e të gjithë këtij procesi. Paloka ka marrë përgjigje nga kryeparlamentari Meta, sipas të cilit, mazhoranca ka bërë maksimumin për të treguar tolerancë, përfshirje dhe për t’i dhënë gjithë hapësirat opozitës që të shprehet. Sipas Metës, shqetësimi i të gjithëve ka qenë shpartallimi i institucionit të ILDKP- së gjatë kësaj periudhe.

Ndërkohë   ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, deklaroi pas mbledhjes se, mazhoranca vazhdon të jetë e bindur se ligji ka nevojë për amendime dhe Konferenca e Kryetarëve shtyu përfshirjen në kalendarin trejavor të parlamentit diskutimin e 16 amendamenteve të qeverisë për çështjen e “Nëpunësit civil”, me qëllim që të arrihet konsensusi me opozitën. 

“Diskutuam për ndryshimet e ligjit të Nëpunësit Civil dhe gjykuam të shtyjmë shqyrtimin e amendamenteve, qoftë në seancë, ashtu edhe në komisionet përkatëse. Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për Aktin Normativ të qeverisë për ligjin “Për nëpunësin Civil” dhe jemi të detyruar të zbatojmë vendimin. Por ne vazhdojmë të konsiderojmë që ligji ka nevojë të amendohet dhe shpresojmë të gjejmë edhe konsensusin e opozitës”, – u shpreh Celibashi. Ndërsa kreu i deputetëve demokratë deklaroi për mediat se një nga aktet më të rënda kushtetuese ishte shkarkimi i Zana Xhukës, e në këto kushte opozita ka kërkuar që Konferenca e Kryetareve të kthente ligjin dhe kushtetutshmërinë.

“Por përgjigja që na u kthye ishte arroganca, e njëjtë me atë që iu kthye dhe shoferëve të furgonëve. Ne do të marrim vendimet e duhura ndaj kësaj qeverie arrogante antikushtetuese”, – përfundoi Paloka. Lidhur me këtë qëndrim, ministri Celibashi është shprehur se: “Qëndrimi bojkotues ndaj veprimtarisë së Kuvendit nuk është një zgjidhje as e dëshiruar, por   as edhe dobiprurëse. Megjithatë në fund të fundit është vendim i tyre”. 

Axhenda 

Mazhoranca miratoi e vetme kalendarin dhe programin e punimeve të Kuvendit. Kryetari i Parlamenti, Ilir Meta, ka bërë më dije se janë depozituar për shqyrtim dhe miratim projektligji “Për disa shtesa në ligjin, “Për Transportet Rrugore” të ndryshuar, projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve 25 dhe 26 të Konventës për Ndotjen dhe përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare”, projektligji “Për KLSH-në” dhe “Për disa shtesa në Ligjin Nr. 7895, Datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” (të ndryshuar). 

Ndërsa tre projektligjet “Për Kujdesin Shëndetësor të veçantë të punonjësve të Strukturave Speciale Operacionale të Policisë së Shtetit”, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kalimin në Pronësi pa shpërblim të Tokës Bujqësore” të ndryshuar, projektligji “Për disa ndryshime në ligjin “Për Mediat Audiovizive në RSH” do të programohen për kalendarin e ardhshëm pasi vazhdon shqyrtimi i tyre nëpër komisionet e përhershme parlamentare. Meta ka informuar gjithashtu se tre institucionet, Banka e Shqipërisë, Autoritetit i Mbikëqyrjes Financiare dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare kanë kërkuar shtyrjen e datës së raportimit në komisionet përkatëse brenda muajit prill.   

Bojkoti i Kuvendit, opozita vendos të enjten

  Opozita do të vendosë ditën e enjte qëndrimin që do të mbajë ndaj Kuvendit duke mos përjashtuar dhe bojkotin. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi dje një takim me ligjvënësit demokratë, por dhe me aleatët opozitarë ku diskutoi mbi këtë çështje. Në fund të takimit nuk është arritur në një vendim, por gjithçka i është lënë seancës plenare të radhës. Në mbyllje të takimit që Basha deklaroi përpara mediave se do të ketë një vendim të unifikuar përballë anti-ligjshmërisë së mazhorancës, siç e cilësoi ai. “Po koordinojmë me aleatët tanë aksionin tonë opozitar sa i përket shkeljes së paprecedentë të Kushtetutës, ligjit, rregullores së Kuvendit. 

Pra sjelljes antiligj, antikushtetues dhe në thelb anti-evropian të kësaj mazhorance, e cila rekordit të saj të zi në opozitë si bllokuese e statusit po i vendos një rekord tjetër të zi tashmë në mazhorancë si dirigjente e rrezikimit të aspiratës mbarë popullore të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Këto janë çështjet të cilat po diskutojmë dhe në vijimësi do t`ju mbajmë të informuar”, – tha Basha. I njëjti qëndrim u mbështet dhe nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Të njëjtat shqetësime kreu i PD-së i ka përcjellë dhe në takimin me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Europian, Jonas Johnsson. / Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button