Moti i keq në Shqipëri vazhdon të shkaktojë probleme

Reshjet e dëborës në Shqipëri janë ndërprerë, por temperaturat kanë qenë tepër të ulëta në të gjithë vendin, duke vështirësuar jetesën e banorëve në zonat më të prekura nga moti i ftohtë, dhe duke shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor në zonat rurale, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërkohë një person dyshohet të ketë humbur jetën nga moti i ftohtë në Durrës. Sipas të dhënave të policisë, shtetasi me inicialet A.S, 38 vjeç, që është gjetur i vdekur në një nga lagjet e Durrësit rezultonte si person i pastrehë.

Ministria e Brendshme e Shqipërisë në një njoftim zyrtar të publikuar sot ka bërë të ditur se ende ka akse rrugore nëpër fshatra të njësive administrative në zona të thella malore, të cilat nuk ka qenë e mundur të hapen plotësisht për qarkullimin.

Ndërsa furnizimi me energji elektrike ka qenë gjithashtu me ndërprerje në disa zona të vendit. Nga ana tjetër, sipas MPB-së akset nacionale janë plotësisht të qarkullueshme, dhe vetëm në ndonjë segment ka nevojë për përdorimin e zinxhirëve.

Sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, nga datat 8-11 janar temperaturat maksimale në vendet malore do të luhaten nga -5 deri -10 gradë, ndërsa në zonën e ulët dhe në bregdet nga 0 deri 5 gradë. Temperaturat minimale do të luhaten në vendet malore nga -21 deri -18, ndërsa në zonën e ulët dhe bregdet nga -10 deri në -6 gradë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button