Bora në Shqipëri mban rrugë të bllokuara dhe fshatra pa ujë

Ngricat dhe reshjet e dëborës vazhdojnë të mbajnë të mbërthyer të gjithë vendin, duke bllokuar rrugët. Në Dibër termometri shënon -15 gradë, ndërsa akulli ka mbuluar qytetin e Burrelit, Peshkopisë dhe Bulqizës, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve. Disa fshatra të zonave të lartpërmendura janë bllokuar për shkak të prezencës së akullit në rrugë. Në qarkun e Shkodrës, segmentet rrugore Bogë-Qafë Thore, Theth- Bregu i Lumit-Mali i Shoshi-Prekal vazhdojnë të jenë të bllokuar.

Në Pukë, akset rrugore Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak, Qafë Mali-Dardhë-Fierzë dhe Fushë Arrëz-Iballë vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Në Malësi të Madhe vijojnë të jenë të bllokuara akset rrugore Tamarë-Vermosh, Tamarë-Selcë. Ndërkohë në disa fshatra të Njësisë Administrative Dukagjin dhe në Puka nuk ka energji elektrike.

Në qarkun e Lezhës janë të bllokuara Njësitë Administrative të Fanit, Selitës, Oroshit dhe Kaçinarit në Mirditë.

Trashësia e dëborës varion nga 20 deri në 100 cm, ndërsa në disa fshatra vijojnë të jenë të bllokuara.

Lëvizja në Rrugën e Kombit nga Repsi në Kalimash bëhet vetëm me zinxhirë pasi ka prezencë ngricash.

Ndërkohë që në veri dhe verilindje të vendit situata e motit paraqitet problematike, në jug të vendit gjendja është normalizuar.

Sipas të dhënave të fundit të bëra publike në orën 7 të mëngjesit në Qarkun e Vlorës nuk ka reshje dëbore dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme për mjetet, me përjashtim të disa akseve ku duhen përdorur zinxhirat.

Në akset e Qafës së Llogarasë dhe Qafën e Muzinës, janë hedhur edhe skorie e kripë për të mos patur probleme nga ngricat.

Gjatë natës janë planifikuar shërbime policore në Qafën e Llogorasë dhe atë të Muzinës, për rregullimin e qarkullimit të mjeteve.

Ndërkohë probleme ka pasur me ujin e pijshëm, ku në disa fshatra të qytetit për shkak të ngricave kanë ngrirë tubacionet dhe disa fshatra nuk furnizohen me ujë të pijshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button