Qeveria nuk tërhiqet nga lumi Radikë, protesta e radhës në Peshkopi

Me moton “Të bashkuar më shumë se kurrë për mbrojtjen e lumit Radikë” grupi organizativ i lëvizjes qytetare dibrane për mbrojtje  e rrjedhës natyrore të lumit Radika, do të organizojë protestën e radhës në qytetin e Peshkopisë.

“Do të jetë një tubim proteste për të koordinuar përpjekjet dhe veprimet si dhe për të bërë të mundur që të jemi të përfaqësuar në të gjitha vendimmarrjet tona. Ka më shumë se tre muaj që qeveria maqedonase po vazhdon me kokëfortësi të mos tërhiqet nga projekti djallëzor anti shqiptar për devijimin e lumit Radika, me idenë se ky qenka një projekt për zhvillimin ekonomik për këtë  trevë, u shpreh për Portalb, Munir Hoxha, kryesues i OJQ-ve në Peshkopi dhe njëkohësisht edhe një ndër organizatorët kryesor të protestës që do të mbahet ditën e shtunë.

“Duam të theksojmë faktin se  ELEM po vazhdon punimet pa asnjë shqetësim dhe qeveria maqedonase vazhdon të injorojë protestat tona të ligjshme për të mbrojtur një nga të drejtat themelore të njeriut, sikurse është e drejta për jetën për një mjedis të shëndetshëm që menaxhohet mbi parimin e zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi Hoxha. 

Ai më tej tha se dibranët e dy anëve të kufirit, i kanë thënë jo këtij projekti ,megjithatë qeveria maqedonase vazhdon me idetë e saj se nëpërmjet  ekspertëve që ka zgjedhur vetë ajo, do të na mbushë mendjen se ky projekt nuk shkakton dëme serioze për mjedisin , ekonominë e jetesës dhe popullsinë e kësaj zone. 

“Qëllimi i tubimit të dytë të protestës në Peshkopi është bashkimi dhe koordinimi i veprimeve të përbashkëta për arritjen sa më të shpejtë të qëllimit”, theksoi Hoxha.

Protestës së dytë në Peshkopi do t’i bashkëngjitet edhe lëvizja “Besëlidhja” për mbrojtjen e lumenjve” në krye me Agim Doçin dhe pjesëmarrës të tjerë kundër devijimit të lumit Radikë.

Lajme të ngjashme

Back to top button