Studentët e Luginës së Preshevës ballafaqohen me probleme në kufij

Gjatë mbrëmjes së djeshme në pikën kufitare Tabanoc iu është ndaluar hyrja 20 studentëve të Luginës së Preshevës.

Sipas studentëve arsyetimi ka qenë se ata nuk plotësojnë kushtet për vendqëndrim.
“Kemi raste kur disa studentë lejohen të hyjnë, ndërsa disa jo. Nuk e di pse ndodhë kjo, askush nuk reagon, edhe pse po vazhdojmë të alarmojmë këtë problem”, theksoi një student preshevar.

Sa i përket dokumentacionit për leje qëndrim, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Ivo Kotevski thotë se ligjet për të huajt janë të njëjta për të gjithë.

“Studentët e huaj njëjtë si edhe qytetarët e huaj që jetojnë në Maqedoni duhet të rregullojnë dokumentet për leje qëndrim. Të dhënat mund t’i gjejnë në stacionet policore në ato qytete ku ata jetojnë ose studiojnë”, tha për Portalb, Kotevski.

Nga Universiteti i Evropës Juglindore, zëdhënësi Demush Bajrami bën të ditur se ka disa student që janë ankuar lidhur me këtë çështje.

“Në UEJL studiojnë 253 student nga Lugina e Preshevës, dhe katër prej tyre janë ankuar lidhur me probleme në kufij. UEJL  do të ndihmojë studentët dhe do të ju jep atyre dokumentacion për leje qëndrim”, tha Bajrami.

Ai bën apel deri tek institucionet shtetërore, që kur është fjala për student, të punojnë më shpejt në dokumentacionin për leje qëndrim.

“UEJL me kohë ka ndërmarr aktivitete duke paguar gjitha taksat e nevojshme gjatë regjistrimit te studentëve të Luginës së Preshevës dhe kështu ka rregulluar statusin e tyre për leje qëndrim, mirëpo institucionet shtetërore punojnë ngadalë dhe studentët ndodh që të vonohen në kyçje në ligjërata, dhe kjo ndikon negativisht në suksesin e  tyre”, theksoi Demushi.

Ndërkaq nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, bëjnë me dije se së shpeti do të dalin në prononcim lidhur me këtë çështje, kurse 10 për qind e studentëve të këtij universiteti janë nga Kosova, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës.

Studentët e bllokuar po udhëtonin me autobusin e kompanisë ‘Fikret Turizem” dhe atyre u është urdhëruar që të kthehen në Preshevë.

Lajme të ngjashme

Back to top button