Durrës, shkatërrohet banda e të rinjve hajdutë
Policia e Durrësit arrestoi mëngjesin e sotëm tre të rinj, të cilët akuzohen për një sërë vjedhjesh në qytetin bregdetar. Në prangat e policisë kanë rënë shtetasit Thanas Paloka, 18 vjeç, banues në Pukë, i dënuar më parë për vjedhje; Edmir Cumraku 21 vjeç, banues në lagjen 16/1 Durrës dhe Martin Vocrri 19 vjeç, banues në Kombinat në Tiranë, ndërkohë po punohet për kapjen personave të tjerë, të përfshirë në vjedhje.
“Në sajë të operacionit të koduar “Trekëndëshi”, u realizua zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i një numri të rëndësishëm vjedhjesh të ndodhura në Durrës nga një grup të rinjsh, me eksperiencë e njohuri të posaçme veçanërisht në vjedhjen e lokaleve të tregtisë, nëpërmjet hapjes së qepenave të tyre, si dhe vjedhjes së motoçikletave nëpërmjet një mekanizmi të prerjes së kabujve elektrikë të tyre. Të gjitha këto vjedhje janë realizuar në harkun kohor nëntor 2013-shkurt 2014”, -thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Durrësit.
Shërbimet e hetimit arritën të dokumentojnë me prova ligjore, përgjatë një hetimi 3-mujor, se 3 të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin arritur të realizonin 11 vjedhje në zona të ndryshme të qytetit bregdetar, si dhe 12 motoçikleta në Tiranë, të cilat më pas i kanë shitur në Durrës dhe Lushnjë./ Shekulli